Violeta Çela – Poezi nga libri i ri poetik “Në Jetë”

19 Dhjetor, 2009 at 17:46 (POEZI, VIOLETA ÇELA) (, , )

15 Poezi


Të jesh nënë

Të jesh nënë është dhimbje,

të jesh nënë është mall…

të jesh nënë është jetë,

që s’njeh kalendar…

Të jesh nënë është këngë,

të jesh nënë është lot…

të jesh nënë është zemër,

që rrahjet s’ia mban dot…

Të jesh nënë është ëndërr

që të mbin në zemër…


Në jetë

Jetë e njeriut është një ditë…

Jetë e njeriut s’është një jetë…

Në jetë, njihen dashuritë…

Dhe tradhtitë njihen në jetë…


Jam i lirë…

Fluturoj si zog pranvere,

mbaroi pritja prapa dere,

Jam i lirë…

Hapu porta e lirisë,

të shoh pragun e shtëpisë!

Jam i lirë…

Nga të gjithë ndjehem braktisur,

veç nënës që më ka rritur,

Jam i lirë…

Larg nga koha e mallkuar,

kam jetën për të jetuar!

Jam i lirë…


Ti dhe halli im

(Avokatit Iakovos Apergjis)


Sa lot shohin sytë e tu,

sa fjalë ndjen në kraharor,

bashkon fjalët edhe lotët

dhe takon një hall në derë…

Hedh ti duart përmbi hallin

e mbulon me shpresë dhe jetë

halli rri në krah të hallit

dalë nga dalë fillon e flet…

Fillon zemrën ta shërosh

pa ilaçe e bluzë të bardhë,

veç me fjalën-shpatë në dorë,

godet fajin që rend i marrë…

Zemra rreh-rreh pa pushim

ti lufton-lufton me fajin,

radiogram në përfundim,

shpresa-jo, s’e braktis hallin…


Në lëndinë

-Motiv-

Në lëndinë e hodha farën

në lëndinë…

në lëndinë e linda djalin,

në lëndinë…

Djali seç e shaloi kalin,

në lëndinë…

iku dhe e harroi mallin,

në lëndinë…

Në lëndinë e hodha farën,

në lëndinë…

në lëndinë e linda vajzën,

në lëndinë…

Në lëndinë kur çelin lulet,

në lëndinë…

vajza vjen, ulet mbi mua,

në lëndinë…


Urim për ditëlindje

Shampanjën në zemër

Për ty theva sot,

Gëzuar ditëlindjen,

Të uroj me lot…

Maj, 2009


Lexo poezi

(Këshillë)

Nëse ke shumë ftohtë

nga dimri i egër,

ndiz një zjarr në zemër…

Nëse derdh shumë lot

për dashuri-erë,

pi dy gota verë…

Nëse ndjen vetmi

nga një dashuri,

lexo poezi…


Frikë

Frikë nga nata,

frikë nga dita,

frikë nga pabesia,

frikë nga drejtësia,

frikë nga jeta,

frikë nga vdekja….

Frikë e njeriut

nga njeriu!


Kush të tha?

Kush të tha se unë kam vdekur,

Kush të tha se s’rroj tek ty?!

Jam i tëri i patretur,

Jam tek loti, ja aty…

Kush të tha se unë s’të prek,

Kush të tha se s’rroj tek ti?!

Përmbi buzë të puth lehtë-lehtë,

Mbi qerpikë ulem e rri…

Vij e iki bashkë me erën,

Zgjoj një shpirt e i bëj dy…

Mos ki frikë kur të hap derën,

Mos u tremb, jam unë aty…


Të pres të vish

me kalë të bardhë…

Më prit,

mos ik,

po vij të t’marr,

me kalë të kuq, me kalë të bardhë…

Po kapërcej lumenj e male,

Nuk duroj dot zemrën e ndarë…

Më prit,

mos ikë,

më prit dhe pak,

dhe pak dhe erdha të t’ rrëmbej…

Dhe në mos qofsha mbi kalin të kuq,

me kalë të bardhë do të të gjej…

Ti prit,

mos ikë,

më prit dhe pak,

ti mos e hidh vellon e bardhë…

Dhe në mos qofsha mbi kalë të kuq,

të pres të vish me kalë të bardhë…


Planeti i droguar

I marrosur jam pas teje,

Nuk mundem të të largoj,

Ditë  për ditë me ty po tretem,

Nuk të kam  prapë s’të harroj…

Kush të shpiku,

kush të mbolli,

Kush të rrit të vrasësh jetë?!

Globi s’di të rrotullohet,

Është droguar  si planet…


Ëndrra

Ëndrra u bë jetë,

jeta u bë këngë,

kënga u bë lot,

loti u bë det…

Deti u bë kalë,

kali u bë shpatë,

shpata u bë zjarr,

zjarri u bë diell…

Dielli u bë lule,

lulja u bë erë,

era u bë jetë,

jeta u bë ëndërr…


Pranvera

Orët e natës zbardhën,

sythet, mbi pemët e zhveshura,

po çelin një nga një…

Mëngjesi trokiti në derë,

Më herët se ditët e tjera…

Erdhi pranvera…


Legjendë

Në një mur,

shkëmb e gur,

e murosa zemrën…

Dhe me lot,

mbushur plot,

e ushqeva këngën…

Kënga mbiu,

nëpër mure,

përmbi gur e shkëmb…

Aty mbeti

dheu s’e treti,

u kthye legjendë…


2 fabula


Ëndrra e gomarit

Në një arë, një gomar,

ulur rrinte dhe psherëtinte,

kur dëgjonte rrëzë një mali,

hingëllimën e një kali:

“lum si ti,

gjithë ditën: hi-hi-hi…

hingëllin kot së koti,

kurse unë,

vetëm për punë,

më ka mallkuar zoti…

S’qenka gjë të jesh gomar,

do ndërroj lëkurën,

do vishem kalë…

E dëgjoi sorra dhe qeshi:

kot mundohesh,

gomari s’vë dot shalë,

shala është për kalë…

Ti e di, brez pas brezi,

ngarkuar mbi samar,

ndaj je gomar…

Kali hingëllin,

ka lezet…

ti pëllet,

për ibret…

Sorra s’kish mbaruar,

kur gomarit i erdhi shkopi,

nga i zoti…

“Shpejt në punë!”

-Po sot është e shtunë…

-S’ka të shtunë e të diel për gomarin,

hajde se ta kam blerë të ri

samarin…


Gomari arkitekt

Një ditë prej ditësh, në kohë-gjelbërimi,

gomarit i doli e drejt e studimit.

gjithë kafshët e pyllit bënë çudi vërtet:

gomari të shkojë në universitet?!

Dilte e pëlliste nëpër rrugë-gomari;

“Do bëhem arkitekt, do ta heq samarin!”

dhe vitet e shkollës një për një mbaroi,

me diplomë në dorë. Punë të re filloi…

Arkitektët e pyllit të gjithë ishin mbledhur,

një urë të re, në letër kishin hedhur…

i vetëm gomari prapa ferrës rrinte,

dëgjonte se ç’thoshin, por gjumë po i vinte…

“Arkitekt gomari, çfarë mendimi ke

se duam të ndërtojmë një urë të re?!”

po ja-tha gomari duke iu dredhur zëri:

gjysma për së gjati, gjysma për së gjëri…

Permalidhje Lini një Koment

VIOLETA ÇELA me libër të ri poetik

19 Dhjetor, 2009 at 17:31 (MENDIMI KRITIK) (, , , )

Violeta Çela (Qato), një nënë, e përkushtuar ndaj jetës dhe fëmijëve, nuk mund të rrijë pa ecur në udhët e krijimit. “Në jetë” është libri i dytë poetik, që doli nga shtypi në këtë fundviti, si dhe ka në proces një roman me temën e familjes.

Autorja i këndon jetës, me ndjeshmërinë e femrës qytetare dhe me dashurinë e një nëne. Poezia e saj është e pastër si vesa, e thjeshtë dhe e gjitha e vërtetë. Ajo ka qiellin e vetë të poezisë, që nis nga qielli i shpirtit…

Nase Jani

Permalidhje Lini një Koment