Ali Asllani – Poezi

21 Korrik, 2009 at 16:00 (Ali Asllani, POEZI) (, )


Ali Asllani


HAKËRRIM

Që nga Korça gjer te Shkodra mbretëron një errësirë,
nëpër fusha, nëpër kodra, vërshëllen një egërsirë!
Pra, o burra, hani, pini, hani, pini or’ e ças,
Për çakallin, nat’ e errët, është ras’ e deli ras’!

Hani, pini dhe rrëmbeni, mbushni xhepe, mbushni arka,
të pabrek’ ju gjeti dreka, milionier’ ju gjeti darka!
Hani, pini e rrëmbeni, mbushni arka, mbushni xhepe,
gjersa populli bujar t’ju përgjigjet: peqe, lepe!

Ai rron për zotrinë tuaj, pun’ e tija, djers’ e ballit,
ësht’ kafshit për gojën tuaj. Rroftë goja e çakallit!
Shyqyr zotit, s’ka më mirë, lumturi dhe bukuri,
dhe kur vjen e ju qan hallin, varni buz’ edhe turi!

Hani, pini dhe rrëmbeni, është koha e çakenjvet;
hani, pini e rrëmbeni, ësht’ bot e maskarenjve;
Hani, pini, vidhni, mblidhni gjith’ aksione, monopole,
ekselenca dhe shkëlqesa, tuti quanti come vuole!

Nënshkrim i zotris suaj nëpër banka vlen milion,
ju shkëlqen në kraharuar dekorata “Grand Cordon”!
Dhe kërkoni me ballhapur (!) komb i varfër t’ju thërres’
gjith me emrin tingëllonjës: Ekselenca e Shkëlqes’
dhe të quheni përhera luftëtar’ e patriot’,
në ka zot dhe do duroj’, posht ky zot, ky palo zot!

Grand Kordon i zotris’sate, që në gji të kan’ vendosur,
ësht’ pështyma e gjakosur e atdheut të veremosur;
dhe kolltuku ku ke hipur, duke hequr nderin zvarr’,
ësht’ trikëmbshi që përdita varet kombi në litar!
Dhe zotrote kullurdise, diç, u bëre e pandeh,
kundër burrit të vërtetë zë e vjell e zë e leh!

E na tunde, na lëkunde, nëpër salla shkon e shkunde,
mbasi dora e armikut ty me shok’ të heq për hunde.
Rroftë miku yt i huaj, që për dita los e qesh,
të gradoi katër shkallë, pse i the dy fjal’ në vesh!

Koha dridhet e përdridhet, do vij’ dita që do zgjidhet
dhe nga trasta pem’ e kalbur doemos jasht’ do hidhet!
Koha dridhet e përdridhet, prej gradimit katër shkallë
nuk do mbetet gjë në dorë veç se vul’ e zezë në ballë!

Mirpo ju që s’keni pasur as nevoj’ as gjë të keqe,
më përpara nga të gjithë, ju i thatë armikut: “Peqe!”
Që të zinit një kolltuk, aq u ulët u përkulët,
sa në pragun e armikut vajtët si kopil u ngulët!
As ju hahet, as ju pihet, vetëm titulli ju kihet…
Teksa fshat’ i varfër digjet… kryekurva nis e krihet!

Sidomos ju dredharakë, ju me zemra aq të nxira,
ju dinakë, ju shushunja, ju gjahtar’ në errësira!
Ç’na pa syri, ç’na pa syri!… Hunda juaj ku nuk hyri:
te i miri, te i ligu, te spiuni më i ndyri!

Dallavera nëpër zyra, dallavera në pazar,
dallavera me të huaj, dallavera me shqiptar’
Vetëm, vetëm dallavera, dhe në dëm të këtij vendi
që ju rriti, që ju ngriti, që ju ngopi, që ju dendi!

Nëse kombi vete mbarë, nesër ju veproni ndryshe,
dylli bëhet si të duash, kukuvajk’ dhe dallëndyshe…
kukuvajka gjith, me lajka, nesër silleni bujar,
nënë dorë e nënë maska, shkoni jepni një kapar!

Dhe kujtoni tash e tutje me të tilla dallavera
kukuvajka do përtypi zog e zoga si përhera…
Ja, ja grushti do të bjeri përmbi krye të zuzarve,
koha është e maskarenjve, po Atdheu i shqipëtarve!

Edhe ju të robëruar, rob në dor’ të metelikut,
fshini sofrat e kujtdoj’, puthni këmbën e armikut!
Që ta kesh armikun mik e pandehni mençuri,
mjafton bërja pasanik, pasanik dhe “bej” i ri,
dhe u bëtë pasanik, me pallate, me vetura,
kurse burrat më fisnikë, japin shpirtin në tortura!

Vendi qenka sofr’ e qorrit, vlen për goj’ e për lëfytë,
bëni sikur veni vetull’, shoku-shokut kreni sytë…
Dhe për një kërkoni pesë, po më mir’ njëzet e pesë.
Le të rrojë batakçiu dhe i miri le të vdesë!

Po një dit’ që nis e vrëret do mbaroj’ me bubullimë,
ky i sotmi zër’ i errët, bëhet vetëtimë
dhe i bije rrufeja pasuris’ dhe, kësi lloj,
nuk ju mbetet gjë në dorë, vetëm një kafshit’ për goj’!

A e dini që fitimi brenda katër vjet mizor’
nuk ësht’ yti, nuk ësht’ imi, është i kombit arbror,
ësht’ i syrit në lot mëkuar, ësht’ i vendit djegur, pjekur,
Ju do thoni si të doni… po e drejta dërmon hekur!


Vetëm jeta s’mund te matet

Dhe ajo qe m’u duk mua e përhershme shkoj e vate
Vate jeta ime vate, me la vetëm një kujtim
S’di, i ziu, c’është kujtimi: Vetëm shkrep si vetëtimë
e me ndrit e me tregon gjurmëzat e zotëris’ sate

Thonë lindi me këmishë, për atë që paske fate’
meqë unë të dua ty, paskam lindur me këmishë
s’di, i mjeri c’është këmisha, vetëm ish ashtu si ish
midis mishit dhe këmishës futej dor’ e zotëris’ sate

Thonë paska paraise, gjith’ lulishte e pallate
tufa, tufa me hyjrira, vargje vargje me humrira
s’di, i ziu, c’është hyrija, por hyrirat më të mira
s’mund të ken’, t’u bëfsha unë, atë zjarr të zemrës sate

Paska vende gji-ergjënd e pallate me shtatë kate
ku ka defe, ku ka qefe, ku ka çupa me kaçupa
s’di, dhe s’di, se c’është kaçupi, me pëlqen më tepër kupa
kur ma mbush e kur ma jep, ajo dore pa mëkate

Dy te tretat e një kohe, të një shekulli që vate
vate jeta ime vate, me ‘te bashke van’ dhe fatet
s’di, i ziu, se ku vane, vetëm jeta s’mund te matet
veç me ditët qe kalova, ne prani te zotëris’ sate


Do t’i shtrydh të dy sytë

Un’ jam un’, saksi e vjetër!
Lule gjirit që stolisa shkoi stolisi një gji tjetër
Un’ e nisa e stolisa me ç’i jep e s’i jep sisa
dhe me këngë ylyveri buz’ e gushë ja qëndisa

Nëpër vapëz i dhash’ hije, nëpër hije er’ e shije
i dhash’ shije poezie, gjith’ fuqit’ e një magjie
gjith ato, që fllad i ëmbël nëpër lule mbar e bije
ari i diellit me tallaze, ari i   hënës fije-fije
dashuria me dollira dhe me thelp lajthije pije…

Po u bë ajo që s’bënej, si, pra, zemra do duroj’,
syri lotin ta qëndis, loti syrin ta harroj?
Si, pra, zëmra do durojë un’saksia tash të vuaj
edhe këngë e gjirit tim të këndoj’ në gji të huaj?

Un’ e nisa i stolisa me ç’i jep e s’i jep sisa,
dhe me këngë ylyveri buz’ e gushë ja qëndisa
buz’ e gushë ja qëndisa, e ormisa mu në zëmër
plasi hëna ziliqare që shikonte me sy vëngër!

Më së fundi i dhash’ lotin, kryepajën time pajë
i dhash’ lotët që pikonin ku i shkelte këmbë e saj’
i dhash’ vjershën time valë, dy herë valë tri her’ zjarr
që buçet në maj të penës edhe bënet këng e marr’
këng’ e marr’ e mallit tim, që tani e paskëtaj
do t’i shtrydh të dy sytë nëpër gjurmëtë  e asaj!


Zonja Lu

Një ditë dola për shëtitje, afër udhës në varreza
Pashë një zonjë me shumë habitje,

veshur krejt me rrob’ të bardhë, duke i bere veri një varri.
Që t’i bësh veri një varri është punë e një të marri…

Iu afrova..

Një flori, mrekulli një bukuri…
Dorë e saja vente-vinte bën veri e bën veri…

E un’ tepër i çuditur i them zonjës të më falë
dhe si gjysmë ngushëllimi pëshpërita dy- tre fjalë
Dhe iu luta të më thoshte i kujt është ky varr i ri
Varr i freskët e i njomë e përse i bën veri?

Zonja kuqet e stërkuqet, bën të thotë e nuk më thotë,
Nuk më thotë asnjë përgjigje, lutja ime vajti kot.

Rrobe e bardhë që  kish veshur, më  tregoi se mbante zi
Sado heshti buzë e kuqe, foli syri saj i zi!
Lem të lutem.. dhe vazhdoi përsëri e përsëri…
Dorë e saj nuk kish të lodhur:

bën veri e bën veri…

Nuk më ikej nga meraku,

po kur shoh se aty afër po ma bën me dorë nje grua
Ajo ish një plakë e varfër,  më thotë:

eja e di unë, të rrefej se ç’janë ata,

atë varr e atë grua  në me jep disa para!

Edhe unë more zotëri, me këto paratë e tua,

shkoj e blej nje nuskë nga prifti, të më zgjatet jeta mua
Pse në vendin ton’ të dashur, me fuqirin e florinjve
Edhe jeta blihet shitet, rrofte magjia e priftërinjve!

Tash ajo që pyesni ju,

është  zonjë e një poeti edhe quhet zonja Lu.
Varri është i të shoqit, ish poet i madh i vendit
që peshohej këngë e tija me dërheme të  argjendit!
Bur e grua mish e thua, çift i ëmbël, çift me shije
çift o çift që ska të dytë, si dy kokërra qershije.

Një  ditë burri u sëmur, dy plevite në një vend
Nje sëmundje shumë e rëndë, Zonja Lu u prish nga mendtë
Dhe i thotë burrit të saj: Nëse mbyllen sytë e tu
unë  veten do ta vras
Dhe bej be që, atë çast më ke pranë e më ke pas…
Ti ma bëre shtratin tim kryefron të dashurisë
dhe unë varrin tënd do ta bëj shtratin tim te nusërisë.

-Jo, të lutem-i thotë burri, shumë të lutem mos e bëj!
-Mirë at’here, unë do mbetem gjithë jetën një e ve…
-Jo, të lutem, Luja ime, mos e bëj dhe këtë  be!
-Si pra unë të duroj në më zentë kjo rrebe?
Pra të paktën do të mbyllem dhe do rreshkem disa vjet…
-Jo, të  lutem Luja ime, është e shkurtër jetë e shkretë.
Vetëm prit e ki durim  sa të thahet varri im.

Tash poeti ra e fjeti. Ra e fjet’ për motë jete
Gjëmë e madhe që e gjeti…
Zonja Lu thërret bërtet me oi e me oi
Per atë që bënej fli, një minutë e dy vili!
Ç’më gjet mua, ç’më gjet mua
Ulurin e zeza grua, U plagos, u shkatërrua
U plagos e u gjakos me biçakun e fildishtë
Fije fije bëri floket, cope-copë i bëri mishtë.

Pas dy ditëve vjen një djalë, një djalosh një bukurosh
E i thotë zonjës Lu: Ti shëndoshë e unë shëndoshë!
Ti e unë një çift i ëmbël, çift i bukur, çift me shije
Çift, o çift që s’ka të dytë, si dy kokërra qershije.

Mirpo zonja është  besnike, ka dhenë fjalën ka berë be
Sa të thahet varri burrit doemos do rrijë e ve
Meqe varri është  ifreskët, është i njomë e është i ri
Që të thahet shpejt e shpejt
Zonja Lu i bën veri!


Vlora, Vlora!

Jam vlonjat e jam vlonjat,
e kam shkabën mëm’ e atë,
shkaba trime dykrenore
fron’ e saj e ka në Vlorë!

Vlora, Vlora, Vlora, Vlora,
rroki armët, bëja forra!

Vlora trime shqipëtare
si rob jetën s’e do fare,
a do mbetet Shqipëri,
a do bëhet tym e hi!

Vlora, Vlora, Vlora, Vlora,
rroki armët, bëja forra!

Jam vlonjat e jam burrë,
s’duron burri zgjedhë kurrë,
jam vlonjat e si vlonjat
di bëj luftë me të shtat’!

Vlora, Vlora, Vlora, Vlora,
Bjeri, moj, t’u lumtë dora!

Jam vlonjat dhe trim me besë,
rreth flamurit di të vdesë,
a me hir a me pahirë
doemos do rroj i lirë!


Ç’do të thotë patriot?

Ç’do të thotë patriot
sot për sot në Shqipëri?
Një tuf’ ah e një tuf lotë,
një njeri i pa njeri!

Jo, jo! Burri i bën ball’
do buçit si val’ mbi zall,

Sa më zi edhe më zi
sido qoftë pun’ e tij,
copë-cop’ i bënet buza
po aspak s’i falet shpuza.

Sikurse një gur stërrall,
në gji zjarrin e ka ngjall,
qoft në lum’ e qoft’ në det
zjarr’ i tija nuk humbet!


7 PRILL 1939

Shtatë prill…
Kopilove o kopil
E u lute u këpute
Njëqind pash në dhe u fute!

Natyrisht një tradhëtor
Spor e fisit arbëror
E pret hasmin me daulle
Kur gjen ditën ta bën pulle!

Na e gjeti dhe na ra
Vret Shqiponjën që s’u vra
Nuk u vra dhe nuk do vritet
Poshtë-përpjetë me vrull vërtitet!

Ja dhe himni që na thuri
Himn’i zi i një qivuri:
“Eja, eja alala
Të na rrojë Duçeja
Duçeja guguçeja
Le të rroj’ edhe flamuri
Sa për sy e për bela!”

I pabesi ta dij’, pra
Ndër kasolle me një tra
Që nga Shkodra gjer në Dropull
Rron ai që i thon’ popull!

Ajo dor’ që rreh dybekun
Di ta mbush edhe dyfekun
Në se ditën çan ugar
Edhe natën thur litar
Thur litar e kalit grushtin
Dhe e var nga këmbët pushtin!


KOKA BËN E KOKA VUAN,
ç’ke moj zemër që rënkon!

Njëher’ varet trikollari, herën tjetër kryq i thyer…
Paska rar’ hallva prej qielli e ja nis një dallaver,
Mbushen xhepat me flori
E qinosen ujk e dele për të bër’ një stan të ri!

Shitet vendi për para, me para e për para
Bëhet burri telendi, dy para një maskara,
Para hasmit lepe peqe
Para zërit te atdheut hund e tyre shtate sqepe!

Duke blere e shitur ere, dikush bëhet milioner,
Kurse shoku pinte uthull lum zotria pinte vere,
Milioneri yn’ i ri
Para shokut te dikurshem vari buz’ edhe turi!

E përhera me dy faqe, që të haj’e qe te bluaj,
Ne një kohë mbi dy frona, në një çast mbi dy kuaj,
Me dy faqe, me dy nofulla, ne një xhep e dy flamurë
E hedh kemben me daulle edhe turk edhe kaur!

Na te urt’ e te mendafshte s’qeme te zot te bënim zë
Ku fillon me thash e theme hij’ e vetes te përzë;
Neve ndryshe, puna ndryshe, defi ndryshe, kënga ndryshe
E ç’kërkon ne gji te gjembit te kendoj’ një dallëndyshe?

Mirpo vendi paskish zemër, paskish sy e paskish vesh,
Shikon lark e dëgjon thelle, di te vesh, edhe të zhvesh
Tani eja e t’ja themi asaj kënge që ja thonë:
Koka bën e koka vuan, ç’ke moj zemër që rënkon?!

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Log Out / Ndryshoje )

Figurë Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Log Out / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Log Out / Ndryshoje )

Google+ photo

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Log Out / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Ndiqe

Merreni çdo postim të ri drejt e te email-et tuaja.

%d bloggers like this: