Brahim Avdyli – Poezi të zgjedhura

27 Shkurt, 2010 at 18:25 (Brahim Avdyli, POEZI) (, )

Brahim Avdyli

Kosovë

Brahim (Ibish) Avdyli (1960), është poet i cili i takon plejadës së krijuesve të fundviteve shatëdhjetë dhe të fillimviteve tetëdhjetë të shekullit të kaluar (XX). I lindur dhe i rritur në Morinë të Malësisë së Gjakovës, në këtë vend me tradita të njohura kulturore dhe kombëtare, ai që në vitet e hershme të rinisë së tij u dha pas dy prirjeve: pas artit të fjalës dhe pas lëvizjes konspirative për lirinë dhe bashkimin e popullit shqiptar.

Pas përfundimit të gjimnazit “Hajdar Dushi“ në Gjakovë i filloi studimet në Fakultetin Teknik, dega e arkitekturës, të cilat nuk i përfundoi, ngase, për shkaqe ekonomike, por edhe politike u de-tyrua të emigrojë në Zvicër. Më vonë, si student me korrespo-ndencë në Fakultetin Filologjik vijoi studimet në Degën e Letërsi-së dhe të Gjuhës Shqipe.

Pas fatkeqësisë së madhe shëndetësore, ka vazhduar t’i ndjekë studimet postdiplomike në Universitetin Ndërkombëtar të Strugës, në Fakultetin e Shkencave Politike/Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Diplomaci.

Ka botuar shumë shkrime, artikuj, analiza dhe akte të tjera politiko-organizative, ndërsa gjatë viteve 1990-1995 ka udhëhequr revistën “Qëndresa“ në Zvicër.

Pos botimeve në periodikun shqiptar, ka publikuar këto për-mbledhje:

-Në hijen e Alpeve, poezi, Rilindja, Prishtinë, 1983,

-Buka e kuqe, poemë, Atdheu, Cyrih, 1990,

-Kur zgjohet Dodona, poezi, Rilindja, Prishtinë, 1992.

-Pasqyrë e përgjakur, poezi, Marin Barleti, Tiranë, 1994,

-Klithje nga fundi i ferrit, poezi, Onufri, Tiranë, 1997,

-Gjuha e dheut tim, poezi, Albin, Tiranë, 1999,

-Klithje nga fundi i ferrit, botim i dytë, Jeta e Re, Prishtinë, 2000,

-Baraspesha e humbur, poezi, Qëndresa, Gjakovë, 2003,

-Vragat e një kohe, prozë, Faik Konica, Prishtinë, 2005,

-Lëvozhga e vdekjes, prozë, Faik Konica, Prishtinë, 2007,

-Setele Vesniciei /Yjet e Përjetësisë, Poezie albaneza, din Kosova,  BKSH të Rumanisë, Bukuresht, 2008,

-Zogu i këngës, poezi të zgjedhura, SHB “Pjetër Bogdani”  Has, 2009.

Është i prezentuar edhe në këto libra:

-Rrjedhë e lë gjurmë, poezi e studentëve të Kosovës, Bota e Re, Prishtinë, 1983,

-Nebil Duraku: Shkrimtarët e Kosovës, 1945-1985,  Rilindja, Prishtinë, 1985,

-Poezia dal Kossovo, Antologji e poezisë kosovare, Besa Editrice, Nardò (Lecce), Itali,1999,

-Hasan Hasani: Leksikoni i shkrimtarëve shqiptar, 1501- 2001, Faik Konica,  Prishtinë 2003,

-Vulcanul rabdarii/Vulkani i durimit, Poeme traduse in liba romana de Baki Ymeri, Editura Do-Minor, Bukuresti, 2008,

Libri i tij i parë poetik „Në hijen e Alpeve“ ka hyrë në zgjedhje të ngushtë për shpërblimin “Hivzi Sylejmani“ që filloi të jepej në vitin 1983 për librin më të mirë të autorëve të rinj. Është fitues i vendit të dytë në konkursin letrar me rastin e 28 Nëntorit 1997, të organit të LPK „Zëri i Kosovës“ dhe i Penës së Artë në takimet pranverore të krijuesve shqiptarë të Diasporës, më 2001. Me 25 prill 2009 ka marrë shpërblimin e parë “Agim Ramadani” në Konkursin e hapur pranë Qendrës Kulturore Shqiptare për poezi në Cyrih të Zvicrës…

Poezia e tij është përkthyer në italisht, gjermanisht, rumanisht, anglisht. etj.

Brahim Avdyli është njëkohësisht anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës dhe i Shoqatës së Shkrimtarëve të Zvicrës (AdS).

…………………………………………………………………………………………………………………………..

Poezi të zgjedhura nga libri i pestë dhe i shtatë poetik, “Klithje nga fundi i ferrit“, Onufri, Tiranë 1997 dhe botim i dytë, Jeta e Re, Prishtinë 2000.


KËNGA IME


Kënga ime- jeta ime e shastisur

t`u përgjakën gishtërinjtë e të ranë dhjetë lëkura

së renduri pas diellit me një strajcë ëndrrash

me një strajcë dhembjesh, dëshirash që pëlcasin

pa britmë e pa vaje, por që s`pushojnë së renduri

pas pulëbardhave në fluturim horizonteve të ngrysura…

Zgjaten shtigjet tua, zgjaten e kur nuk sosen

gjithnjë e më pak jam unë- çdo gjë ta kam falur

bonjakja ime- këngë, bimë e etshme gjaku;

s`di ç`të bëj me dhembjen që të çel në çdo rremb

s`di ç`të bëj me pikëllimin tënd pipave të tharë

s`di ç`të bëj me lulet e vyshkura- jeta ime e vrarë

kur dridhen sahatkullat ndër shtërgata motesh,

pa plang e pa shtëpi jemi, ne, endacakë të përjetshëm

ikim nga harrimi, mashtrimet, dhuna, nga vdekja…

por askund fundi i kësaj odiseade, askund Itaka

me buzëqeshje të na shkrijë akujt ankthit e të mallit-

duart t`i ngrohim pranë vatrës- kurrë të braktisur,

të na përtërihet durimi, ty- zëri i shterur

nga fundi i ferrit duke klithur, lëndinës së shtrigave…

T`i mbledhim, moj, cuklat e dashurisë e kujtesën e grisur

edhe me gjysmë mushkërie mund të ecim kah e nesërmja

tash e dimë përmendësh pse u nëmën bjeshkët

dhe mësuam të zbresim në det, të ngjitemi kah dielli

udhën e shkronjave e mësuam, shtigjet e fjalës

fanarët e shpirtit t`i ndezim tej- përtej oqeanit

qiell e dhé je për mua- prush e hi jam për ty

djep i ëndrrave të mia- rrita ime je ti,

ndaj të pëshpëris çdo natë dhe të shtrëngoj si fëmijë

jeta ime e shastisur, vdekja ime- poezi!…

ORAKUJT

E RREJSHËM


Ei,

edhe poetët ditkan të bëjnë lajka,

të përhapin mashtrime,

të mbështesin Çezarin

e të lavdërojnë tiranët-

në emër të luftës për Liri!

Edhe poetët ditkan të jenë

si të gjithë të tjerët,

të yshten me të holla,

me shpërblime ndërkombëtare,

e të bëhen zëdhënës

të një të çmenduri tiran

maje Froni,

t`i mbulojnë tragjeditë

me perdet magjike të fjalës,

t`i kurdisin dramat e dhimbshme

të shekujve-

kur blihen!!…

O burrani,

mos u besoni kurrë

orakujve të rrejshëm-

krijuesve oborrtarë!

SYTË E ARGUSIT


Sytë e tu, Argus

i ka fryrë dhembja-

freskinë ua kanë tharë

marrëzitë e kohës.

S’ishte e lehtë të shije botën

duke ndërruar ngjyrë

dhjetë herë në ditë

si kameleoni,

s’ishte lehtë të shihje

demonë të nderuar si hyjni

dhe hyjnitë që grisnin mushkëritë

për të dëshmuar

shenjtërinë,

s’ishte e lehtë

të përpije gjithë këtë pleh

që shitet për ar

midis bebëzave

e të masje

dioptrinë e hirësisë

shthjurren e shekullit

pa guxuar të nxjerrësh

të vërtetën-

Argus,

sytë e tu i vrau shëmtia

në një kohë të pa kohë!

GJURMËT E FJALËS


(Kontrolli)

Duke dëgjuar çka flas

duke dëgjuar çka flasin-

përditë shikohem në pasqyrë.

(Pasqyra)

Po të mos ishe ti-poezi,

çdo gjë do të shkëlqente

nga paturpësia!

(Kontrolli)

Përpëlitem,

copëtohem për njeriun

e njeri dorën s’ma zgjat!

(Ngushëllimi)

I vetmi ngushëllim

për zgalemin është

karvani që i shkon pas!

PËRTEJ AKERONTIT


E tërë jeta ime dënimit i ngjanë-

pranë syve kalon gëzimi dhe s`e mbërrij,

pranë gojës kalon jeta dhe s`e shijoj,

përpara shëtit e vërteta dhe s`më njeh,

anash gjallëron bota dhe s`më sheh,

prapa kurrizit bie fati, dhe s`më merr…

E tërë jeta ime një tmerri i ngjanë,

edhe pse kështu nuk vendosën hyjnitë

se vetë më dhanë ata brumin e zemrës,

demonët më vodhën një ditë pabesisht

e më shpien të lidhur përtej Akerontit…

Më lanë përherë në një vorbull deti-

as i mbytur isha, as i shpëtuar;

më lanë të vetmuar në një maje mali-

plot thirrje kisha, por i padëgjuar;

më mbyllën thellë në një shpellë guri-

pranë e kam zjarrin e dridhem vazhdimisht

i syrgjynosur së gjalli, ja kështu, në ferr-

shpirtin plot dritë e përreth vetëm terr!

PAMJA NËPËR TË CILËN KALOJ


Deri sa u kaloj pranë

blloqeve të betonit-

peshën e tyre ma hedhin kalistrok

vetëm sa për t’më vënë në lojë.

Vitrinat e dyqaneve

më pështyjnë e më shajnë

për këpucët e shqyera

dhe rrobat që përditë i vesh.

Kalldrëmi lëviz

e përpiqet t’më rrëzojë

për të mos i ecur mbi kurriz

me gjithë shqetësimet e kësaj dite..

I huaj dhe i humbur

midis pëshpëritjes së rrugëve

që s’më përshëndesin fare

dhe kokën e kthejnë mënjanë

për t‘mos më parë-

ja, kjo është pamja e përditshme

nëpër të cilën kaloj!

MONOLOGU I HEKTORIT

PARA SE TË VDISTE

1.

Kur e prunë

Kalin e drunjtë

mos i hapni dyert

i shqetësuar thashë

se në te fshihet

shkatërrimi ynë.

Të verbrit u ngritën

ik nga Troja, më thanë.

Mos u bë shkaktar

që sërish të derdhet

gjak mbi bedena,

derisa e shenjta paqe

në derë po troket!

2.

Dola vetëm

për të vrarë Akilin

midis atyre bishave

që ulurinin tmerrshën

pranë themeleve

të lirisë

dhe e pashë

në minutat e fundit

si po i digjte mashtrimi

kullat e Trojës!

3.

O Zot,

as plagët e mia

as zvarritja nëpër gurë

s’më kanë turpëruar

më shumë

se mallkimi

që nëpër duart tona

po futej n’kështjellë!

PËRTEJ BRIGJEVE TË DHEMBJES


Ordi trishtimesh

janë ngjeshur mbi Adriatik,

vetëm sa s`kanë shtrydhur retë e dhembjes,

era thekshëm kalëron hapësirës së trazuar

e dimri shndërrohet në një suferinë të gjallë.

Dëborë nuk ka,

se dëbora nuk zë mbi valë,

pikëllimi ka ngrirë në shkallën tridhjetë nën zero

e s`kam fuqi të zgjoj ëndrrat e pritura të lirisë

s`kam fuqi t’i jap zë vargut që ka ngelur nëpër buzë-

se kënga më tretet në hapësirën e ngrysur të një dite!…

Ordi trishtimesh

janë ngjeshur sërish mbi Adriatik,

askund s‘e takoj Odiseun, as nuk ëndërroj Penelopën,

prej skajit në skaj përpëlitem papa Itakës sime

derisa përpiqem të marr me mend një Liburnë ilire

mbi dhembjen e pafjalë Poseidoni dallgët m‘i ndërsen!

Shtrëngata të fuqishme ndjenjash m`i grisin velat e shpirtit,

kam frikë mos Ilirisë së përmbytur m’i zhduken gjurmët

duke i rënë detit anë e përtej me diellin e mërguar

dhe Itakën e lënë në pikëllim-

atje, përtej brigjeve të dhembjes që nuk duken!…

Adriatik, dhjetor 1995

VDEKJA

QË S’E PRANOJ


Asnjë vdekje nuk e pranoj

asnjë vdekje që nuk është rënie

pranë altarit të fjalës,

pranë altarit të lirisë-

as vdekjen mbi lule,

as vdekjen mbi mëndafsh!…

Më e liga vdekje

kjo vdekje e përditshme,

as i gjallë as i vdekur tërësisht,

midis kërmës që të kafshon

dhe fjalës që të vdes nëpër buzë!…

LUTJET E MESIAS

MBI KALANË E SHKODRËS


O zot, fale këtë popull

nga mëkatet që bën vazhdimisht

mbi vetveten,

por mos ia premto tokën e shenjtë

se tokë të shenjtë e ka Shqipërinë!

Dashuri fali për dheun e vet,

dashuri për gjakun

që po i shprishet,

shpëtoje nga copëtimi

orakujt e rrejshëm

dhe përmbytja…

se tempullin e parë e ndërtoi për ty,

tempullin e parë për Liri!

SI MUND TË HYHET

NË SHEKULLIN E RI


Nuk hyhet

me gjuhën e Don Kishotit

as me Rrosinantin e Sanços

nuk hyhet

as me Kalin Trojan

dhe hingëllimën e tij të kobshme.

Shekulli i ri

nuk është arenë ku vriten gladiatorët

për të kënaqur Satananë !…

Nëpër trajektoren e tij

hyhet me zemrën e qelibartë

dhe Diellin e zbritur

në shuplakë të dorës,

hyhet vertikalisht

me guximin qytetar

për të mbrojtur të vërtetën !

…………………………………………………………………………………………………………………………..

2. Poezi të zgjedhura nga libri „Gjuha e dheut tim“, Albin, Tiranë, 1999


TELLALLI

I MBRETËRISË SË HIDHUR


Të bardhën e nxinë

me fjalorin e diktuar,

nga tupani i tij tymnajën e nxjerrë

sa herë godet lëkurën e terur të ditëve

të zezën e suvaton

me bardhësitë e plaçkitura

nga shpirti i popullit

deri sa në gijotinë e shtrydhin tradhtitë

kështu mbretëria

nxjerr para nesh laviren e synimeve,

asnjëherë s`kuptohet

ç`ngjyrë fshihet pas bebëzave të pudrosura…

Tash edhe kasneci i çmendur

emrin e ka humbur

nëpër të rrahurat e kurdisura

rrugë më rrugë,

e askund sheshi

me at përmendore të rrënuar,

askund shpëtimtari

që t`a lirojë Prometeun!

ZEZONË E MALLKUAR


As hirin nuk ma lënë të mblidhet

te urnat e ditëve,

kanë frikë se ngjizet e ndizet!

As dheun nuk ma lënë të bashkohet

te kodra e kohëve,

kanë frikë mos përtërihet e blerohet!

As lumenjtë e gjakimeve s`mi lënë të rrjedhin

nëpër shtratin e viteve,

kanë frikë mos vërshojnë dhe prishin

arat e mbjella me bimën e së keqes!…

Zezonë e mallkuar,

kur do të përmbytet ligësia jote,

dinozaurët tu t`a vjellin për hundësh

pranverën e gëlltitur,

u bëfshin fosile të djegura

nën detin e lotëve tanë!

ZGAFELLA

E ZEMRËS SIME


Nën urat e larta të ndjenjave

rridhte lumi i gjakimeve të mia

në mes të fushës së bleruar të mendimeve

ngrihej kalaja e ëndrrave

drejtë qiellit-

dorën e ndruajtur prore e shtrinte

të prekë me bedenë rrezen e ngrohtë,

e nuk di kush i ndërseu gjithnjë furtunat

kush me tërmete m`i shembte muret

sa herë i afrohesha diellit…

Ajri i përmjegullt me hilet e Kainit

m‘a vodhën paturpësisht dashurinë

edhe atëherë kur mendoja

se do të mjaftonin troshkat e saj

tash, në sheshin e tymosur

kulla e ëndrrave më është djegur-

frymëmarrja ime i ngjanë

një lisi të zhbiruar

me i zgafellë të madhe futë në gji!

….

PËRSIATJE

MBI VDEKJEN


Kur vdiset vetëm, në mesudhë

vdiset dhimbshëm, pa fitore në dorë

me ankthin e dyshimit për të nesërmen!

Kur vdiset i coptuar nga hijenat

toka gjëmon dhe nuk e duron plagën,

zemra e trollit rrudhet

e limfa e ditëve thahet nga trishtimi!

Kur vdiset i vrarë pas kurrizit,

i prerë në fyt; i shpuar në hekur…

dielli e mbulon fytyrën nga turpi i dhunës

e mezi e shikon botën e çmendur

poshtë vetes!…

Vetëm në front vdiset burrërisht

për ta ushqyer me shpresa drejtësinë

se një ditë e keqja do të marrë fund!

PRANVERA E VARGJEVE


Kjo stinë vjen atëherë kur shpirti dhemb

e nënqiellit të ndjenjave rigon mjaft shi

sa të mugullojë mendimi pipave të fjalës.

Vie vetëm kur nuk pajtohesh me heshtjen,

kur gjelbrimi shpurdhë në brendësinë e gjërave

nxitur nga etja për të lënë gjurmët e veta

në hapësirë.

Pranvera e vargjeve është ridefinim i kohërave

kur e qena dhe e paqena masin njëra-tjetrën;

kur e liga dhe e drejta përleshen fytas

e në vazhdimësi;

kur brumi i shpirtit formësohet në fushë të bleruar,

në lisa kryelartë e në bjeshkë mendimesh-

në tërësinë e asaj që njësohet me të bukurën!…

PËSHPËRITJET

E NJË GJETHI TË THARË


Vështirë pranoj të zverdhem nga gjelbërimi

kur më soset fryma e ditëve të mia

duke kulluar ajrin dhe fshirë hapësirën

nga thërrmijat e imta të vdekjes

ngjyra më shpenzohet ngadalë e pa diktuar

me at gjoll murtaje në zemër…

Sa lehtë më shkëput dora e kohës

e m`lëshon përtej kujdesit të vet

mbi tokën e lagur të dhembjeve,

prapë u rri te këmbët degëve të mia

nën dëborën e heshtjes e rrëketë e pikëllimit

dhe pleh i bëhem trungut kryelartë

për t`ia ushqyer blerimin e stinëve që vinë!

MOTIV I LASHTË KOSOVE


A do të vish në dasmë

si në motet e përgjakshme

valles së krismave

t`ia marrim,

Nusen pa tjetër do ta sjellim

oxhakun ta rrisim

e Kulla të shndrisë-

ajo Diellin e ka në ballë

si e Bukura e Dheut

në mitet mijëvjeçare,

Ti patjetër do të vish

në dasmën e lirisë, o burrë-

t`i plasim hijenat

me vallen e krismave!

DËSHIRË E VETME

E LUFTËTARIT TË LIRISË


Sikur të kisha

shtatëmijë duar,

çdo njërën do t`a ngritja

kundër armikut;

sikur të kisha

shtatëmijë jetë,

asnjë s`do t`më dhimbsej

për lirinë;

sikur të kisha

shtatëmijë zemra,

prapë do t`më digjeshin

për bashkimin;…

sikur të jetoja

ndër shtatëmijë mrekulli,

të gjitha do t`i lija

për Atdheun!

YJE TË PËRJETËSISË


-Dëshmorëve që ranë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës

në betejat e përgjakshme me okupatorët serbë!

Juve më të mirëve u zgjodhi amshimi

që lisat e krenisë të kenë hapësirë të mjaftueshme

për t`u rritur në bebëzat e njoma të fëmijëve tanë,

që nënat tona t`i përtërijë shpresa

e të kenë motive të pashtershme ninullash

deri sa përkundin nipat në djepat e kohëve,

që baballarët ta mundin pleqërinë me kujtimin tuaj

e ndër oda të flasin për ju si për legjendat e moçme-

plisin ta kenë edhe më të bardhë se thinjat e tyre!…

Juve më të mirëve u zgjodhi pavdekësia

sepse tokën e Atdheut e deshët më shumë se veten,

vetëm ju e shpaguat burrërisht qumështin e nënave,

fytyrën ia latë trollit me dorën e shpirtit të bardhë;

vetëm ju e shpaguat ujin e kristaltë të krojeve-

me kristalin e ndjenjave tuaja

yje të ëndrrave tona u bëtë nëpër qiell!

Kosovës i ratë te këmbët plot dinjitet e njerëzi,

plagët e hapura ia shëruat me afshin e gjakut tuaj,

dhembjet ia mblodhët nga balli

me dorën e fuqishme të luftëtarit…

dhe të nesërmes ia bëtë kurorë frymëmarrjet e fundit!

LAGJA E TRIMAVE


-Familjes heroike të Shaban Jasharit

të Prekazit të Drenicës dhe bijve të nderuar të saj,

luftëtarëve të paepur të lirisë- Hamëz e Adem Jashari

dhe të gjithë bashkëluftëtarëve

e dëshmorëve tjerë të kësaj ane!

Ju e përflakët dëborën e Janarit,

akujt e shpirtit na i shkritë me prushin e zemrës

shkurtit ia shkurtuat ditët me krisma

e marsi e thirri pranverën e këngëve

nëpër gunën e klithjeve tona!

Lagja juaj u rrit nëpër dhembjen tonë

kur buzëqeshjet e njoma të fëmijëve ia bëtë kurorë lirisë,

djepi i këngëve tona prore do t`i përkundë

me i plagë të madhe në zemër ditët që do vinë!

Me ju qëndresa e vuri edhe njëherë veten në sprovë,

piramida e dhunës u rrënua me at gur

që e hodhët ju në ballin e paturpshëm të kohës-

edhe nëse fryma u ndal, karvani u nis

me Jasharajt krushq të parë e fishekun në grykë

kah dielli i shpresave tona!

Kur të na kthehet do të vijë me shpirtrat tuaj

të shndërruar në rrezet e shndritshme të përlindjes

krismat tuaja shënuan lëvizjen e ditëve,

kushtrimi burrëror e zgjoi Kosovën deri në Dukagjin-

tash, gjaku i juaj do kthehet me flamur fitoresh në dorë!

STILISTIKË

1. Anafora

E kam kërkuar në xhepat e shkyer të kohës

e kam kërkuar në rrjedhën e mnershme të fatit

e kam kërkuar në thinjat e mia maleve

e kam kërkuar në shënjestër

blerimin e vjedhur shumë stinë.

E gurët shënuan përgjakiet e mia në palcë

e gurët dëshmuan suferinën e dhembjes.

2. Simploka

O unë do ta zbres ylberin në brigjet e ëndrrës

do ta mbjell lulëkuqen në brigjet ëndrrës-

në këtë kryqëzim hekurash dhëmbët do t`i mprehë koha

në këtë kryqëzim hekurash do të varen maskimet!

3. Anadiploza

E pra vejushë e përdalur, kthema yllin tim

yllin e syrgjynosur në “puthjet” e tua-

vetëm unë e njoh “ledhatimin” tënd

“ledhatimin” tënd me dhëmbët e ujkut në faqe!

Heu, s`i dua shekujt në vizitë muzeumeve

kurrë si Laokonti

si Laokonti me gënjeshtrën krahëqafe!

…………………………………………………………………………………………………………………………..

3. Poezi të zgjedhura nga libri “Baraspesha e humbur”, Qëndresa, Gjakovë 2003.


VARGU IM


Të gropos thellë ndër damarë

e mbinë përsëri nëpër dhembje

atëherë kur më së pakut të pres,

të hedh përtej harresës

e rikthehesh me një kujtim të përtërirë

në gjolin e lotëve të mi,

të shkund për kërcellin e fjalës

dhe mendoj se të kam ç`rrënjosur

nga trualli i dhembjeve

e ti, sërish nxjerrë pipa të rinj

nëpër çdo plagë shpirti…

PËRMASAT

E SHTEGTIMIT


Kam ecur pafund

nëpër shtegun e shqetësimeve

për ta gjetur njeriun e humbur

dhe kam ndihmuar ëndrrën e tij

që të mbijë e gjelbër

në fushën e hapur të përpjekjes.

Nuk e di kush ka vrapuar më shumë

ditë e natë përmbi dallgë

me këmbët e qullura të këngës

diellin e fshehur për të zënë

përtej reve të mbarsura në vetëtima!

Shpesh kam braktisur vetveten

e shembur jam nga ankthet e mbledhura

nëpër skutat e ferrit

por kotjen e kam ndjekur nga sytë

vetëm gjumi të mos na zë

në prehrin djallëzor të dështimit!…

Nuk di kur jam nisur së pari,

nuk di kur jam ndalur së fundi

për të qetësuar unin e sfilitur,

zemrën e kam lëshuar prore në fluturim

që të vizatojë diellin e shpirtit

me krahët e praruar të dashurisë

në mes të horizontit

dhe ndjekur e kam pastaj nëpër kohë

deri në pikën e panjohur

të ngarendjes së pafund !…

ENGJËJT E HIDHËRUAR


Nuk i prek më vaji i nënave

për kufomat e zhdukura të fëmijëve,

nuk i prek rënkimi i etërve

për bijtë e zhdukur nga lubitë

asaj nate të kobshme

mbi trojet e përgjakura të lirisë,

nuk i pikëllon as gjëma

e atyre që ranë papritur

në zjarrin e çmendur të ferrit

që nën cytjet e Satanait mori frymë!

Nuk i pikëllon asgjë e dhimbshme

nga njëmijë dramat shqiptare,

madje as thirrjet e parreshtura

të atyre që mbijetuan të gjymtë

në emër të drejtësisë së pritur!…

Prandaj, nuk e di pse priremi

t`i shohim me flatra të bardha

ata që buzëqeshjet i kanë ngrirë

hapësirës së futur në kornizë

dhe vazhdimisht pështyjnë

mbi ëndrrën tonë të lirë!…

UDHA E SUKSESIT


Vie një zanë perëndimi

e ndërron vendin e gurëve

në vatrën e pafajësisë fëminore

të vendlindjes sime.

I thotë hirushës sonë

se do ta bëjë mis bukurie

në mes të kodrave të tejkaluara

të konkurencës së plakur,

se do t`ia hapë udhën e suksesit

në tunelin e pafund të botës!…

Kjo ishte ëndrra e saj

që të dalë në mesin e margaritarëve

pa leckat e nderit

të së kaluarës që ka ndërruar

pamjen e mendimit.

Tani, në pasqyrën e ditëve

fytyrën e grisur të shpresave

e shikon plot dhembje-

përtej xhamit oshtinë

kaosi i fjalëve

që pikëpyetjet i gëlltit…

nuk e gjënë dot çelësin e kohës

për të hapur

kutinë e kujtimeve të ndrydhura,

ndaj, lotët i bien

në hirin e psherëtimave

dhe tretet ndër shqetësime

shtigjeve të përpira nga hapësira!

CUNGIMI I LIRISË (IV)


Liria

nuk guxon të jetë

rrokje e këputur,

torzo e fjalës

as klithmë

e ndrydhur në mes !

Liria

nuk guxon të jetë

ëndërr e bjerrë,

as kalë trojan

që futë tradhtinë

në kalanë e djegur

të shpresave!…

Liria

nuk guxon të jetë

plaf i argjendtë

i mjegullave

që ulen mbi fushë

për të mbuluar

bjeshkët e rrënuara

të mendimit,

as cung i cunguar

i gjysmë këngëve

që këndohen

së prapthi!…

KASNECI I ZGJIMIT


A e patë të bredhë shesh më shesh

me zemrën e shndërruar në tupan

e mushkëritë e bëra rrëshiq

për të zgjuar kohën e fjetur

mëngjeset të mos vriten në pabesi,

duke gëlltitur lotin e plasur

përpëlitjeve kur nuk del fjala

duke zgjuar mendimet për të nesërmen

nata pa i ndrydhur nën shqelmat e territ?!

Ai gishtat i shtori duke u rënë ditëve

për t`i shkundur nga kujtimet e hidhura

nga dhembjet e çasteve të vjedhura!…

Merreni përdore pra kasnecin e zgjimit

e shpjereni t`a ndjejë ngritjen e diellit

në altarin e pavdekësisë,

që t`i njohë shenjat e para të thirrjeve

në detin e harrimit të mos vdesim!

MBIJETESA


Damarëve të jetës së ndrydhur

orakujt e dritës mbollën ca vargje,

ndjenjat e mbijetuara

i ngritën në këmbë

gjymtyrët e mbetura gjallë

nën shqelmat e pamëshirshëm të dhunës

dhe formësuan bërthamën

e këngës së pavdekshme!…

Kështu u ngrit shkalla e parë e guximit

për të ndërtuar kullën e qëndresës

e për t´ua zënë pritën

stuhive të çmendura!…

Tani mund të themi lirisht

se nuk vdiqëm tërësisht

se nuk qemë të humbur,

se gjallë na kishte mbajtur

një fitil i pashuar i këngës!

Permalidhje Lini një Koment

Nase Jani në gjuhën angleze

22 Janar, 2010 at 17:45 (Nase Jani, POEZI) (, )



Nase Jani

Në gjuhën angleze

Nga Rozi Theohari



Asaj

I ndrite sytë?

Ndriti…

E qeshe buzën?

Qeshe…

E fshehe brengën?

Fshehe…

E derdhe shpirtin?

Derdhe…

E zhveshe trupin?

Zhvishe…

E fike dritën?

Fike…

Harruar veten

Lere…

Në majë të malit

Shpjere…

Në fund të detit

Zhytu…

Te dallgë e zemrës,

Mbytu!…

Dhe ngrihu

Pasmesnate…

Lëshomë pak zë

Po pate…

Kjo poezi u botua në Numrin e parë të vitit 2010, të gazetës “Nahant Harbor Review”, në faqen 13, që botohet në Massachusetts, SHBA. Gjithashtu, disa poezi të N. Janit u recituan te Klubi i Poetëve të Bostonit të Veriut dhe në Klubin e Poetëve të Kolegjit NSCC Denvers-Lynn e u mirëpritën me duartrokitje

(Sipas përkthyeses, poetes R. Theohari)

Permalidhje Lini një Koment

Violeta Çela – Poezi nga libri i ri poetik “Në Jetë”

19 Dhjetor, 2009 at 17:46 (POEZI, VIOLETA ÇELA) (, , )

15 Poezi


Të jesh nënë

Të jesh nënë është dhimbje,

të jesh nënë është mall…

të jesh nënë është jetë,

që s’njeh kalendar…

Të jesh nënë është këngë,

të jesh nënë është lot…

të jesh nënë është zemër,

që rrahjet s’ia mban dot…

Të jesh nënë është ëndërr

që të mbin në zemër…


Në jetë

Jetë e njeriut është një ditë…

Jetë e njeriut s’është një jetë…

Në jetë, njihen dashuritë…

Dhe tradhtitë njihen në jetë…


Jam i lirë…

Fluturoj si zog pranvere,

mbaroi pritja prapa dere,

Jam i lirë…

Hapu porta e lirisë,

të shoh pragun e shtëpisë!

Jam i lirë…

Nga të gjithë ndjehem braktisur,

veç nënës që më ka rritur,

Jam i lirë…

Larg nga koha e mallkuar,

kam jetën për të jetuar!

Jam i lirë…


Ti dhe halli im

(Avokatit Iakovos Apergjis)


Sa lot shohin sytë e tu,

sa fjalë ndjen në kraharor,

bashkon fjalët edhe lotët

dhe takon një hall në derë…

Hedh ti duart përmbi hallin

e mbulon me shpresë dhe jetë

halli rri në krah të hallit

dalë nga dalë fillon e flet…

Fillon zemrën ta shërosh

pa ilaçe e bluzë të bardhë,

veç me fjalën-shpatë në dorë,

godet fajin që rend i marrë…

Zemra rreh-rreh pa pushim

ti lufton-lufton me fajin,

radiogram në përfundim,

shpresa-jo, s’e braktis hallin…


Në lëndinë

-Motiv-

Në lëndinë e hodha farën

në lëndinë…

në lëndinë e linda djalin,

në lëndinë…

Djali seç e shaloi kalin,

në lëndinë…

iku dhe e harroi mallin,

në lëndinë…

Në lëndinë e hodha farën,

në lëndinë…

në lëndinë e linda vajzën,

në lëndinë…

Në lëndinë kur çelin lulet,

në lëndinë…

vajza vjen, ulet mbi mua,

në lëndinë…


Urim për ditëlindje

Shampanjën në zemër

Për ty theva sot,

Gëzuar ditëlindjen,

Të uroj me lot…

Maj, 2009


Lexo poezi

(Këshillë)

Nëse ke shumë ftohtë

nga dimri i egër,

ndiz një zjarr në zemër…

Nëse derdh shumë lot

për dashuri-erë,

pi dy gota verë…

Nëse ndjen vetmi

nga një dashuri,

lexo poezi…


Frikë

Frikë nga nata,

frikë nga dita,

frikë nga pabesia,

frikë nga drejtësia,

frikë nga jeta,

frikë nga vdekja….

Frikë e njeriut

nga njeriu!


Kush të tha?

Kush të tha se unë kam vdekur,

Kush të tha se s’rroj tek ty?!

Jam i tëri i patretur,

Jam tek loti, ja aty…

Kush të tha se unë s’të prek,

Kush të tha se s’rroj tek ti?!

Përmbi buzë të puth lehtë-lehtë,

Mbi qerpikë ulem e rri…

Vij e iki bashkë me erën,

Zgjoj një shpirt e i bëj dy…

Mos ki frikë kur të hap derën,

Mos u tremb, jam unë aty…


Të pres të vish

me kalë të bardhë…

Më prit,

mos ik,

po vij të t’marr,

me kalë të kuq, me kalë të bardhë…

Po kapërcej lumenj e male,

Nuk duroj dot zemrën e ndarë…

Më prit,

mos ikë,

më prit dhe pak,

dhe pak dhe erdha të t’ rrëmbej…

Dhe në mos qofsha mbi kalin të kuq,

me kalë të bardhë do të të gjej…

Ti prit,

mos ikë,

më prit dhe pak,

ti mos e hidh vellon e bardhë…

Dhe në mos qofsha mbi kalë të kuq,

të pres të vish me kalë të bardhë…


Planeti i droguar

I marrosur jam pas teje,

Nuk mundem të të largoj,

Ditë  për ditë me ty po tretem,

Nuk të kam  prapë s’të harroj…

Kush të shpiku,

kush të mbolli,

Kush të rrit të vrasësh jetë?!

Globi s’di të rrotullohet,

Është droguar  si planet…


Ëndrra

Ëndrra u bë jetë,

jeta u bë këngë,

kënga u bë lot,

loti u bë det…

Deti u bë kalë,

kali u bë shpatë,

shpata u bë zjarr,

zjarri u bë diell…

Dielli u bë lule,

lulja u bë erë,

era u bë jetë,

jeta u bë ëndërr…


Pranvera

Orët e natës zbardhën,

sythet, mbi pemët e zhveshura,

po çelin një nga një…

Mëngjesi trokiti në derë,

Më herët se ditët e tjera…

Erdhi pranvera…


Legjendë

Në një mur,

shkëmb e gur,

e murosa zemrën…

Dhe me lot,

mbushur plot,

e ushqeva këngën…

Kënga mbiu,

nëpër mure,

përmbi gur e shkëmb…

Aty mbeti

dheu s’e treti,

u kthye legjendë…


2 fabula


Ëndrra e gomarit

Në një arë, një gomar,

ulur rrinte dhe psherëtinte,

kur dëgjonte rrëzë një mali,

hingëllimën e një kali:

“lum si ti,

gjithë ditën: hi-hi-hi…

hingëllin kot së koti,

kurse unë,

vetëm për punë,

më ka mallkuar zoti…

S’qenka gjë të jesh gomar,

do ndërroj lëkurën,

do vishem kalë…

E dëgjoi sorra dhe qeshi:

kot mundohesh,

gomari s’vë dot shalë,

shala është për kalë…

Ti e di, brez pas brezi,

ngarkuar mbi samar,

ndaj je gomar…

Kali hingëllin,

ka lezet…

ti pëllet,

për ibret…

Sorra s’kish mbaruar,

kur gomarit i erdhi shkopi,

nga i zoti…

“Shpejt në punë!”

-Po sot është e shtunë…

-S’ka të shtunë e të diel për gomarin,

hajde se ta kam blerë të ri

samarin…


Gomari arkitekt

Një ditë prej ditësh, në kohë-gjelbërimi,

gomarit i doli e drejt e studimit.

gjithë kafshët e pyllit bënë çudi vërtet:

gomari të shkojë në universitet?!

Dilte e pëlliste nëpër rrugë-gomari;

“Do bëhem arkitekt, do ta heq samarin!”

dhe vitet e shkollës një për një mbaroi,

me diplomë në dorë. Punë të re filloi…

Arkitektët e pyllit të gjithë ishin mbledhur,

një urë të re, në letër kishin hedhur…

i vetëm gomari prapa ferrës rrinte,

dëgjonte se ç’thoshin, por gjumë po i vinte…

“Arkitekt gomari, çfarë mendimi ke

se duam të ndërtojmë një urë të re?!”

po ja-tha gomari duke iu dredhur zëri:

gjysma për së gjati, gjysma për së gjëri…

Permalidhje Lini një Koment

VIOLETA ÇELA me libër të ri poetik

19 Dhjetor, 2009 at 17:31 (MENDIMI KRITIK) (, , , )

Violeta Çela (Qato), një nënë, e përkushtuar ndaj jetës dhe fëmijëve, nuk mund të rrijë pa ecur në udhët e krijimit. “Në jetë” është libri i dytë poetik, që doli nga shtypi në këtë fundviti, si dhe ka në proces një roman me temën e familjes.

Autorja i këndon jetës, me ndjeshmërinë e femrës qytetare dhe me dashurinë e një nëne. Poezia e saj është e pastër si vesa, e thjeshtë dhe e gjitha e vërtetë. Ajo ka qiellin e vetë të poezisë, që nis nga qielli i shpirtit…

Nase Jani

Permalidhje Lini një Koment

Ali Asllani – Poezi

21 Korrik, 2009 at 16:00 (Ali Asllani, POEZI) (, )


Ali Asllani


HAKËRRIM

Që nga Korça gjer te Shkodra mbretëron një errësirë,
nëpër fusha, nëpër kodra, vërshëllen një egërsirë!
Pra, o burra, hani, pini, hani, pini or’ e ças,
Për çakallin, nat’ e errët, është ras’ e deli ras’!

Hani, pini dhe rrëmbeni, mbushni xhepe, mbushni arka,
të pabrek’ ju gjeti dreka, milionier’ ju gjeti darka!
Hani, pini e rrëmbeni, mbushni arka, mbushni xhepe,
gjersa populli bujar t’ju përgjigjet: peqe, lepe!

Ai rron për zotrinë tuaj, pun’ e tija, djers’ e ballit,
ësht’ kafshit për gojën tuaj. Rroftë goja e çakallit!
Shyqyr zotit, s’ka më mirë, lumturi dhe bukuri,
dhe kur vjen e ju qan hallin, varni buz’ edhe turi!

Hani, pini dhe rrëmbeni, është koha e çakenjvet;
hani, pini e rrëmbeni, ësht’ bot e maskarenjve;
Hani, pini, vidhni, mblidhni gjith’ aksione, monopole,
ekselenca dhe shkëlqesa, tuti quanti come vuole!

Nënshkrim i zotris suaj nëpër banka vlen milion,
ju shkëlqen në kraharuar dekorata “Grand Cordon”!
Dhe kërkoni me ballhapur (!) komb i varfër t’ju thërres’
gjith me emrin tingëllonjës: Ekselenca e Shkëlqes’
dhe të quheni përhera luftëtar’ e patriot’,
në ka zot dhe do duroj’, posht ky zot, ky palo zot!

Grand Kordon i zotris’sate, që në gji të kan’ vendosur,
ësht’ pështyma e gjakosur e atdheut të veremosur;
dhe kolltuku ku ke hipur, duke hequr nderin zvarr’,
ësht’ trikëmbshi që përdita varet kombi në litar!
Dhe zotrote kullurdise, diç, u bëre e pandeh,
kundër burrit të vërtetë zë e vjell e zë e leh!

E na tunde, na lëkunde, nëpër salla shkon e shkunde,
mbasi dora e armikut ty me shok’ të heq për hunde.
Rroftë miku yt i huaj, që për dita los e qesh,
të gradoi katër shkallë, pse i the dy fjal’ në vesh!

Koha dridhet e përdridhet, do vij’ dita që do zgjidhet
dhe nga trasta pem’ e kalbur doemos jasht’ do hidhet!
Koha dridhet e përdridhet, prej gradimit katër shkallë
nuk do mbetet gjë në dorë veç se vul’ e zezë në ballë!

Mirpo ju që s’keni pasur as nevoj’ as gjë të keqe,
më përpara nga të gjithë, ju i thatë armikut: “Peqe!”
Që të zinit një kolltuk, aq u ulët u përkulët,
sa në pragun e armikut vajtët si kopil u ngulët!
As ju hahet, as ju pihet, vetëm titulli ju kihet…
Teksa fshat’ i varfër digjet… kryekurva nis e krihet!

Sidomos ju dredharakë, ju me zemra aq të nxira,
ju dinakë, ju shushunja, ju gjahtar’ në errësira!
Ç’na pa syri, ç’na pa syri!… Hunda juaj ku nuk hyri:
te i miri, te i ligu, te spiuni më i ndyri!

Dallavera nëpër zyra, dallavera në pazar,
dallavera me të huaj, dallavera me shqiptar’
Vetëm, vetëm dallavera, dhe në dëm të këtij vendi
që ju rriti, që ju ngriti, që ju ngopi, që ju dendi!

Nëse kombi vete mbarë, nesër ju veproni ndryshe,
dylli bëhet si të duash, kukuvajk’ dhe dallëndyshe…
kukuvajka gjith, me lajka, nesër silleni bujar,
nënë dorë e nënë maska, shkoni jepni një kapar!

Dhe kujtoni tash e tutje me të tilla dallavera
kukuvajka do përtypi zog e zoga si përhera…
Ja, ja grushti do të bjeri përmbi krye të zuzarve,
koha është e maskarenjve, po Atdheu i shqipëtarve!

Edhe ju të robëruar, rob në dor’ të metelikut,
fshini sofrat e kujtdoj’, puthni këmbën e armikut!
Që ta kesh armikun mik e pandehni mençuri,
mjafton bërja pasanik, pasanik dhe “bej” i ri,
dhe u bëtë pasanik, me pallate, me vetura,
kurse burrat më fisnikë, japin shpirtin në tortura!

Vendi qenka sofr’ e qorrit, vlen për goj’ e për lëfytë,
bëni sikur veni vetull’, shoku-shokut kreni sytë…
Dhe për një kërkoni pesë, po më mir’ njëzet e pesë.
Le të rrojë batakçiu dhe i miri le të vdesë!

Po një dit’ që nis e vrëret do mbaroj’ me bubullimë,
ky i sotmi zër’ i errët, bëhet vetëtimë
dhe i bije rrufeja pasuris’ dhe, kësi lloj,
nuk ju mbetet gjë në dorë, vetëm një kafshit’ për goj’!

A e dini që fitimi brenda katër vjet mizor’
nuk ësht’ yti, nuk ësht’ imi, është i kombit arbror,
ësht’ i syrit në lot mëkuar, ësht’ i vendit djegur, pjekur,
Ju do thoni si të doni… po e drejta dërmon hekur!


Vetëm jeta s’mund te matet

Dhe ajo qe m’u duk mua e përhershme shkoj e vate
Vate jeta ime vate, me la vetëm një kujtim
S’di, i ziu, c’është kujtimi: Vetëm shkrep si vetëtimë
e me ndrit e me tregon gjurmëzat e zotëris’ sate

Thonë lindi me këmishë, për atë që paske fate’
meqë unë të dua ty, paskam lindur me këmishë
s’di, i mjeri c’është këmisha, vetëm ish ashtu si ish
midis mishit dhe këmishës futej dor’ e zotëris’ sate

Thonë paska paraise, gjith’ lulishte e pallate
tufa, tufa me hyjrira, vargje vargje me humrira
s’di, i ziu, c’është hyrija, por hyrirat më të mira
s’mund të ken’, t’u bëfsha unë, atë zjarr të zemrës sate

Paska vende gji-ergjënd e pallate me shtatë kate
ku ka defe, ku ka qefe, ku ka çupa me kaçupa
s’di, dhe s’di, se c’është kaçupi, me pëlqen më tepër kupa
kur ma mbush e kur ma jep, ajo dore pa mëkate

Dy te tretat e një kohe, të një shekulli që vate
vate jeta ime vate, me ‘te bashke van’ dhe fatet
s’di, i ziu, se ku vane, vetëm jeta s’mund te matet
veç me ditët qe kalova, ne prani te zotëris’ sate


Do t’i shtrydh të dy sytë

Un’ jam un’, saksi e vjetër!
Lule gjirit që stolisa shkoi stolisi një gji tjetër
Un’ e nisa e stolisa me ç’i jep e s’i jep sisa
dhe me këngë ylyveri buz’ e gushë ja qëndisa

Nëpër vapëz i dhash’ hije, nëpër hije er’ e shije
i dhash’ shije poezie, gjith’ fuqit’ e një magjie
gjith ato, që fllad i ëmbël nëpër lule mbar e bije
ari i diellit me tallaze, ari i   hënës fije-fije
dashuria me dollira dhe me thelp lajthije pije…

Po u bë ajo që s’bënej, si, pra, zemra do duroj’,
syri lotin ta qëndis, loti syrin ta harroj?
Si, pra, zëmra do durojë un’saksia tash të vuaj
edhe këngë e gjirit tim të këndoj’ në gji të huaj?

Un’ e nisa i stolisa me ç’i jep e s’i jep sisa,
dhe me këngë ylyveri buz’ e gushë ja qëndisa
buz’ e gushë ja qëndisa, e ormisa mu në zëmër
plasi hëna ziliqare që shikonte me sy vëngër!

Më së fundi i dhash’ lotin, kryepajën time pajë
i dhash’ lotët që pikonin ku i shkelte këmbë e saj’
i dhash’ vjershën time valë, dy herë valë tri her’ zjarr
që buçet në maj të penës edhe bënet këng e marr’
këng’ e marr’ e mallit tim, që tani e paskëtaj
do t’i shtrydh të dy sytë nëpër gjurmëtë  e asaj!


Zonja Lu

Një ditë dola për shëtitje, afër udhës në varreza
Pashë një zonjë me shumë habitje,

veshur krejt me rrob’ të bardhë, duke i bere veri një varri.
Që t’i bësh veri një varri është punë e një të marri…

Iu afrova..

Një flori, mrekulli një bukuri…
Dorë e saja vente-vinte bën veri e bën veri…

E un’ tepër i çuditur i them zonjës të më falë
dhe si gjysmë ngushëllimi pëshpërita dy- tre fjalë
Dhe iu luta të më thoshte i kujt është ky varr i ri
Varr i freskët e i njomë e përse i bën veri?

Zonja kuqet e stërkuqet, bën të thotë e nuk më thotë,
Nuk më thotë asnjë përgjigje, lutja ime vajti kot.

Rrobe e bardhë që  kish veshur, më  tregoi se mbante zi
Sado heshti buzë e kuqe, foli syri saj i zi!
Lem të lutem.. dhe vazhdoi përsëri e përsëri…
Dorë e saj nuk kish të lodhur:

bën veri e bën veri…

Nuk më ikej nga meraku,

po kur shoh se aty afër po ma bën me dorë nje grua
Ajo ish një plakë e varfër,  më thotë:

eja e di unë, të rrefej se ç’janë ata,

atë varr e atë grua  në me jep disa para!

Edhe unë more zotëri, me këto paratë e tua,

shkoj e blej nje nuskë nga prifti, të më zgjatet jeta mua
Pse në vendin ton’ të dashur, me fuqirin e florinjve
Edhe jeta blihet shitet, rrofte magjia e priftërinjve!

Tash ajo që pyesni ju,

është  zonjë e një poeti edhe quhet zonja Lu.
Varri është i të shoqit, ish poet i madh i vendit
që peshohej këngë e tija me dërheme të  argjendit!
Bur e grua mish e thua, çift i ëmbël, çift me shije
çift o çift që ska të dytë, si dy kokërra qershije.

Një  ditë burri u sëmur, dy plevite në një vend
Nje sëmundje shumë e rëndë, Zonja Lu u prish nga mendtë
Dhe i thotë burrit të saj: Nëse mbyllen sytë e tu
unë  veten do ta vras
Dhe bej be që, atë çast më ke pranë e më ke pas…
Ti ma bëre shtratin tim kryefron të dashurisë
dhe unë varrin tënd do ta bëj shtratin tim te nusërisë.

-Jo, të lutem-i thotë burri, shumë të lutem mos e bëj!
-Mirë at’here, unë do mbetem gjithë jetën një e ve…
-Jo, të lutem, Luja ime, mos e bëj dhe këtë  be!
-Si pra unë të duroj në më zentë kjo rrebe?
Pra të paktën do të mbyllem dhe do rreshkem disa vjet…
-Jo, të  lutem Luja ime, është e shkurtër jetë e shkretë.
Vetëm prit e ki durim  sa të thahet varri im.

Tash poeti ra e fjeti. Ra e fjet’ për motë jete
Gjëmë e madhe që e gjeti…
Zonja Lu thërret bërtet me oi e me oi
Per atë që bënej fli, një minutë e dy vili!
Ç’më gjet mua, ç’më gjet mua
Ulurin e zeza grua, U plagos, u shkatërrua
U plagos e u gjakos me biçakun e fildishtë
Fije fije bëri floket, cope-copë i bëri mishtë.

Pas dy ditëve vjen një djalë, një djalosh një bukurosh
E i thotë zonjës Lu: Ti shëndoshë e unë shëndoshë!
Ti e unë një çift i ëmbël, çift i bukur, çift me shije
Çift, o çift që s’ka të dytë, si dy kokërra qershije.

Mirpo zonja është  besnike, ka dhenë fjalën ka berë be
Sa të thahet varri burrit doemos do rrijë e ve
Meqe varri është  ifreskët, është i njomë e është i ri
Që të thahet shpejt e shpejt
Zonja Lu i bën veri!


Vlora, Vlora!

Jam vlonjat e jam vlonjat,
e kam shkabën mëm’ e atë,
shkaba trime dykrenore
fron’ e saj e ka në Vlorë!

Vlora, Vlora, Vlora, Vlora,
rroki armët, bëja forra!

Vlora trime shqipëtare
si rob jetën s’e do fare,
a do mbetet Shqipëri,
a do bëhet tym e hi!

Vlora, Vlora, Vlora, Vlora,
rroki armët, bëja forra!

Jam vlonjat e jam burrë,
s’duron burri zgjedhë kurrë,
jam vlonjat e si vlonjat
di bëj luftë me të shtat’!

Vlora, Vlora, Vlora, Vlora,
Bjeri, moj, t’u lumtë dora!

Jam vlonjat dhe trim me besë,
rreth flamurit di të vdesë,
a me hir a me pahirë
doemos do rroj i lirë!


Ç’do të thotë patriot?

Ç’do të thotë patriot
sot për sot në Shqipëri?
Një tuf’ ah e një tuf lotë,
një njeri i pa njeri!

Jo, jo! Burri i bën ball’
do buçit si val’ mbi zall,

Sa më zi edhe më zi
sido qoftë pun’ e tij,
copë-cop’ i bënet buza
po aspak s’i falet shpuza.

Sikurse një gur stërrall,
në gji zjarrin e ka ngjall,
qoft në lum’ e qoft’ në det
zjarr’ i tija nuk humbet!


7 PRILL 1939

Shtatë prill…
Kopilove o kopil
E u lute u këpute
Njëqind pash në dhe u fute!

Natyrisht një tradhëtor
Spor e fisit arbëror
E pret hasmin me daulle
Kur gjen ditën ta bën pulle!

Na e gjeti dhe na ra
Vret Shqiponjën që s’u vra
Nuk u vra dhe nuk do vritet
Poshtë-përpjetë me vrull vërtitet!

Ja dhe himni që na thuri
Himn’i zi i një qivuri:
“Eja, eja alala
Të na rrojë Duçeja
Duçeja guguçeja
Le të rroj’ edhe flamuri
Sa për sy e për bela!”

I pabesi ta dij’, pra
Ndër kasolle me një tra
Që nga Shkodra gjer në Dropull
Rron ai që i thon’ popull!

Ajo dor’ që rreh dybekun
Di ta mbush edhe dyfekun
Në se ditën çan ugar
Edhe natën thur litar
Thur litar e kalit grushtin
Dhe e var nga këmbët pushtin!


KOKA BËN E KOKA VUAN,
ç’ke moj zemër që rënkon!

Njëher’ varet trikollari, herën tjetër kryq i thyer…
Paska rar’ hallva prej qielli e ja nis një dallaver,
Mbushen xhepat me flori
E qinosen ujk e dele për të bër’ një stan të ri!

Shitet vendi për para, me para e për para
Bëhet burri telendi, dy para një maskara,
Para hasmit lepe peqe
Para zërit te atdheut hund e tyre shtate sqepe!

Duke blere e shitur ere, dikush bëhet milioner,
Kurse shoku pinte uthull lum zotria pinte vere,
Milioneri yn’ i ri
Para shokut te dikurshem vari buz’ edhe turi!

E përhera me dy faqe, që të haj’e qe te bluaj,
Ne një kohë mbi dy frona, në një çast mbi dy kuaj,
Me dy faqe, me dy nofulla, ne një xhep e dy flamurë
E hedh kemben me daulle edhe turk edhe kaur!

Na te urt’ e te mendafshte s’qeme te zot te bënim zë
Ku fillon me thash e theme hij’ e vetes te përzë;
Neve ndryshe, puna ndryshe, defi ndryshe, kënga ndryshe
E ç’kërkon ne gji te gjembit te kendoj’ një dallëndyshe?

Mirpo vendi paskish zemër, paskish sy e paskish vesh,
Shikon lark e dëgjon thelle, di te vesh, edhe të zhvesh
Tani eja e t’ja themi asaj kënge që ja thonë:
Koka bën e koka vuan, ç’ke moj zemër që rënkon?!

Permalidhje Lini një Koment

Lirika – nga Kujtim HALILI

18 Korrik, 2009 at 21:19 (Kujtim Halili, POEZI) (, , , )

Lirika nga

Kujtim HALILI

1947-2007

O kohë e jetës që s’të jetova kurrë,

në ç’sekondë misteri mbete rob?


Dashuri dhe jetë

Jam i moçëm sa myshku në gur

pjellë e dashurisë, i dashuruar sa s’ka…

Lulëkuqet që mbijnë nëpër grurë

janë plagë që shpirti thellë m’i ka.

Nga buzët veç me buzë shuhet etja,

nga padurimi i pritjes që mpak.

E, ç’mund të jetë pa dashuri jeta,

dhe natyra pa jetën që e përflak?!


Ky shpirt

Në mesmaj kur linda

gjarpri i shtëpisë më priti,

i erdhi trupit rreth e përqark,

këmishën me trëndelina hëne

ma hodhi sipër…

Dhe iku prapë,

thonë në Vjosë e u bë lumë…

Veshja prej gjarpri

më fërgëllon në mish,

tërë jetën drejt Vjosës

më ikën ky shpirt:

Ujëra…. ujëra….

me fjalë poezish…


Vuajtja e Krishtit

Gjithçka mbaroi. Trupat u ndanë.

Ky pra qenka mëkati i madh.

Ajri s’ka më dridhma ofshamash

mbi Edenin e shtratit të bardhë…

Kaq ishte. Rrezet pinë djersët

në barqet që nuk përplasen sërish,

Veç gishtat në puro të mbledhur

si padashur puthen paqësisht…

Ky qenka fundi i misterit mundues,

rri fshehur dhe s’jepet lehtë pas mishit,

pse ndodh për vezullimet e epshit tundues

ne pranojmë dhe vuajtjet e Krishtit?!


Ti

Dritën e ndrojtur të buzëve,

thellësinë e puthjes ta njoh,

atë që bëjmë ne tani,

të tjerët e kanë bërë me kohë…

E fshehta e së fshehtës, lëvozhgën

s’do ta lërë kurrë të bjerë,

kjo jetë ka kaq thjeshtësi,

siç ka në bërthamë mister…

Mëkati i parë është vallë

Eva me mollët në gji,

apo ti, që ke në lëkurë

jetëndjellësen e pafaj-rini?!

Të linjtat fërfërijnë. Si gjarpri

te këmbët të bien. I zhvesh.

Njëlloj janë, edhe helmi dhe mjalti,

kur jetën ma bëke të qesh…


Marshi i kurvave

Kurvat,

u mërzitën me inicialet e pasqyrave

i flakën buzëkuqet dhe perzervativët.

Gjurmët e spermës fshinë prej fytyrave

dhe piklat e pështymave nga thithkat…

Kurvat,

e gjetën zotin e humbur,

tani është koha,

kjo astronaute e bukur,

të çlirohen nga psetë e përbindshme.

Kurvat,

në rrugë të ndryshme nisen

të rifitojnë virgjërinë e dikurshme.

Mos i ndalni të vdekurat e porsalindura,.

të porsalindurat me vdekje të kushtueshme…


Atdhe

Të dua ashtu siç je,

dikush të do hero,

një tjetër: të shtrirë përdhe,

ndenë diellin që vjell llohë…

Fjalën ta ndjek me nderim,

dikush stolis dhe brerore,

një tjetër ta përtyp si krimb,

në çdo pejzë dhe pore…

Rrugë dhe milingonës i hap

në baltën tënde plot hire,

kur dikush fytit të hedh lak

dhe qesh me dhëmbë errësire…

Dhe atë që s’e kam, për ty gjej,

aty ku nuk është do ta marr,

veç sytë kur t’i mbyll nënë dhè

atëherë do më quash: Tradhtar!

Permalidhje Lini një Koment

Nase JANI – Njeriu dhe deti (Nga Lirikat e Detit)

18 Korrik, 2009 at 10:24 (Nase Jani, POEZI) (, , , )

Nase JANI

Athinë


Njeriu dhe deti

(Nga Lirikat e Detit)


Njeriu dhe deti

Çdo njeri,

brenda vetes ka një det,

e deti, ka një det me guaska brenda,

e guaskat fshehin një det me të fshehta

dhe e fshehta vetë brenda saj ka një det…

Dhe njeriu në jetë, nuk është kurrë veç njeri,

pa zbuluar se ç’është,

e mbyt dallga e tij…


Vala dhe shkëmbi

Shkëmbi në breg… vala në det,

bëjnë dashuri… në njëqind-jetë…

Bëjnë dashuri… mbyten në mall,

vala mbi shkëmb… shkëmbi mbi valë…

Vala mbi shkëmb, … zhvishet dhe qesh,

u tret e s’vdiq, …. vdiq e s’u tret…

Bëjnë dashuri…

në njëmijë jetë…


Si Homeri, babai i poetëve…

(Bisedë me detin)

Ç’më shikon me syrin tënd gjigant?!

Syri yt, me dallgë e qiell-shpirti…

Sytë e vajzave e të poetëve bashkë,

ç’kërkon Eva?

ç’shkruan Esenini…

Sytë e mi,

ç’i bëre, ku i zhyte vallë?!

Ma vodhe shikimin dhe ma trete…

Më le qorr, me shpirtin plot me dallgë,

si Homeri, babai i poetëve…


Sazani

Sazani erdhi e s’më gjeti,

i ikur isha dallgë pas dallge…

i humbur isha det pas deti…

Sazani erdhi

e s’më gjeti!


Saranda

Mbi dy pëllëmbë det të kaltër,

në një vargmal, që mbulon deti,

Saranda me Korfuzin, natën,

me sy ia bëjnë njëri-tjetrit…


Pulëbardha

Unë iki e iki mbi dallgë e në det,

pulëbardha s’m’u nda,

më ndjek e më ndjek…

Më ndjek e më ndjek,

pulëbardha s’m’u nda,

me sqep më çukit e sytë m’i ha…

E sytë m’i ha, çukit e çukit,

çudi dhimbje s’ndjej,

kënaqem në shpirt…

Kënaqem në shpirt e bëhem me krah,

çukit e çukit,

pulëbardha s’m’u nda…


Mbytet një pulëbardhë

Më lëviz qerpiku,

loz me dallgë-deti,

mbyt krahët pulëbardha,

lejleku zhyt sqepin,

peshqit puthen fshehur

ngatërrojnë foletë,

breshka nën guaskë

sheh ëndrra e qetë…

Fër-rër-fër … qerpiku,

zëmërohet deti,

syri më lotohet,

shpirti plot më mbeti,

ulet një re-shiu,

deti shfryn me dallgë…

Mbytet një pulëbardhë…


Fle në ëndrrat e pulëbardhës

Dallga-dallgën thur gërshetë…

Shtrihem mbi gërsheta dallgësh…

Një pulëbardhë mbi gjoks më zbret,

Fle në ëndrrat e pulëbardhës…


Në dasmën e detit…

Pas erës mbërthyer,

gënjyer, zhgënjyer,

kap retë dhe i shqyej…

Ç’ke ré që qan shiun?

Ç’ke ré që shkoq breshër?

Unë djeg shpirtin e vetëm…

Marr udhën e lumit,

përrenjtë kanë vdekur,

tek lumi janë tretur…

Pi ujë një gjarpër,

unë njom sytë e kaltër,

pres hënën gjithë natën…

Gjithë natën pranë lumit,

shoh fatin në ëndërr:

kanë vjedhur dhe hënën…

Në det, më tha lumi,

është fati i zhytur,

i zhytur pa mbytur…

Kuje? më tha deti,

mbi dallgë e mbi shkumë,

si ti, jam dhe unë…

Dhe sot do martohem,

lumenjtë kam në dasmë,

ca miq e ca hasmë…

Në dasmën e detit,

kthej kupa, bëj sherr

dhe dehem me verë…


Deti xheloz

Po zihet qielli me detin

për pronësi në dashuri,

deti nuk ngopet me dritë-hëne,

qielli vjedh retë me shi…

Deti xheloz shkumon me dallgë,

hënën lakmon njëmijë-mijë-vjet,

që t’i hapë krahët si pulëbardhë,

hëna, shtëpinë ta ketë

në det…

Nga gjiri i tij të dalë çdo natë,

të fshihet prapë tek gjiri i tij,

lule-nën-detin ta ketë shtrat,

të shtrihet zhveshur

mbi shkëmbinj…

Dhe yjet t’i presë si dashnorë

gjithë qielli të zbresë në det…

Deti xheloz,

hënën përgjon,

e pret…

e pret…

njëmijë-mijë-vjet…


Si nuk plaket deti ndonjëherë?!

Si nuk plaket deti ndonjëherë,

mijëra-milion-vjet dhe prapë i ri…

thinjet nëpër dallgë, dimër-verë,

luan me guaska si fëmi’…

Pastaj hesht i lodhur, si në gjumë,

shtrihet gjer në breg,

ku ujë s’ka…

shkruan ndonjë vjershë si dhe unë,

e fshin prapë dhe qesh si budalla…

Si nuk plaket deti ndonjëherë?!


Mbytem nëpër Dardanele…

Çarçafët e bardhë s’janë për mua,

s’vij dot tek trupi yt,

le t’i gëzojë kush t’i gëzojë,

ai që të mban prikë…

Le t’i gëzojë kush t’i gëzojë,

ai që është përnatë…

Unë mbytem nëpër Dardanele

deh pres të zhytem prapë…


Të lutem, shpëtomë!

Syri ka bebëz

e gjoksi ka zemër

e bebëza ka dritë

e zemra ka gjak

e guri ka heshtje

e heshtja ka fjalë

e fjala ka dhimbje

e dhimbja ka mall

e malli ka lot

e loti ka shpirt

e shpirti ka zog

e zogu ka qiell

e qielli ka ré

e reja ka det

e deti ka dallgë

e dallga të mbyt…

Të lutem, shpëtomë,

më mbaj mbi qerpikë!


Më thuaj det…

Më thuaj det ç’po ndodh me mua

truri më ndizet në shpërthim,

të hidhem mbi dallgët e tua

mbase një çast do gjej shpëtim?

Mbase një çast e gjysmë shekull

do humbas veten për gjithnjë,

brenda mendimit të rri fshehur,

të tretem tek fjala “asgjë”…


Guaska

Në një guaskë

jam shtrirë për të fjetur,

lakuriq siç flihet në guaska…

Mbyll sytë, por s’fle

e mbeta pa fjetur,

lakuriq jam shtrirë… dhe plasa…

Më erdhi pranë një detushkë,

gjysma prej qielli e gjysma prej deti,

unë i lakuriqtë, mbeta turpëruar,

as fjetur, as zgjuar…

djersitur,

i shkreti… lutem, shpëtomë…


Kur ike ti

E lashë vetminë të më ikte,

të mbetej vetëm

dhe pa mua…

Pa qeshje sytë mos m’i shihte,

syqeshja m’u tret e m’u shua…

M’u shua vetëm nga vetmia,

kur ike ti dhe mbeta vetëm…

Dhe dallgë e detit, e malluar,

shuhej në gji

të dallgës tjetër…

Korrik, 2009


Kërkoj

Kërkojnë sytë,

sytë e tu,

mbetën pa dritë…

buzët kërkojnë,

dihet ç’kërkojnë,

nga mrekullitë…

Kërkojnë por s’ka,

kërkojnë, po ku?

Sa ditë larg…

Syri kërkon,

buzët kërkojnë,

të kërkojnë prapë…

Shpirti m’u ndez,

trupi u prush,

në prushëri…

Nuk i mbaj dot,

duan të vijë,

aty tek Ty…

S’di si të bëj,

ti shëroj, s’mund,

ti mbaj? Më pak…

Të kërkojnë Ty,

digjen për ty,

por ti je larg…

Dërgomë një dallgë

ta pres në gjoks,

nuk e le më…

Me të do flas,

me të do qesh,

me të do fle…

Do gdhihet prapë,

pas ëndrrës-natë,

vjen një mëngjes…

Do dal në breg,

do rri në breg,

aty do pres…

Dhe Ti do vish,

si poezi,

një dashuri…

Fjala do heshtë,

zemra do qeshë,

pastaj?

S’e di!…


Deti s’është det

Deti, s’është det,

dallga s’është dallge…

Unë vij tek Ty…

Një vit, një orë,

një jetë,… një ditë…

me dashuri…

Malli, s’është mall,

është mal, është det,

unë iki larg…

Një orë, një ditë,

një jetë, një çast…

si s’ jemi bashkë?!!…


Mos…

Mos i ul qerpikët se verbohet hëna,

kapak i vë detit, dallgët mbyten brenda…

Mos i shuaj buzët se s’çel lule shega,

vyshket manushaqja, humbet udhën era…

Mos i trokit gjinjtë: nëntë ballë tërmeti,

bie në gjunjë mali, qiell bëhet deti…

Mos hyr nëpër ëndrra se zgjon perënditë,

mos i shuaj buzët, mos i trokit gjinjtë…


Det-dashurie

Më tërbove,

u tërbofsh me tërbim të pambaruar…

Më gëzove,

u gëzofsh me gëzim të pazbuluar…

Më rinove,

u rinofsh me rini prej Perëndie…

Më jetove,

u jetofsh 1000 jetë dashurie…

Permalidhje 2 Koment

Dritëro AGOLLI – Profet i nëmur

18 Korrik, 2009 at 09:23 (Dritëro Agolli, POEZI) (, , )

Poezia shqipe

Dritëro AGOLLI

13 tetor 1931

Profet i nëmur

Mallkoni dhe shani dhe çirrni turinjtë,

jam shpirti i një guri, ku falen qirinjtë…

Mbllaçisni proverbat dhe tirrni gënjeshtrat,

më kthehen-ikona dhe strofat, dhe vjershat…

Lëshoni blasfema, përcillmëni dhimbje,

nënqesh se në male më pret dhe një lindje…

Qëlloni m fjalë e goditni me hekur,

unë jam i pavdekshëm përgjersa s’kam vdekur…


Lirikat e vjeshtës


Lirikat e vona, burimet e vjeshtës,

me ngjyrat e fletës, me lëngun e vreshtës…

Dikur jua kam shkruar në luspat e plepit,

trapezë kam pasur kurrizin e shkrepit…

Tani jam rënduar, s’iu ndjek dot në gurë,

s’ju ndjek dot në këmbë, iu ndjek me veturë…

Ndaj s’jeni me vesë, ndaj s’jeni të brishta,

të shkretat motive, të gjorat lirika…

Të thyej veturën dhe dreqi ta marrë,

më jepni veç lëngun që kisha më parë…

Dhe thoni: e pamë diku Dritëronë,

që thyente veturën mbi barin e njomë…

Dhe thoni se kish lajthitur i shkreti,

lirikat e lanë, lirikat s’i gjeti…


Ëndrra e prerë


Mos vdis, se pas shirave arën e mbushi bari,
ka rënë në ullishte mizë e ullirit
hardhia duhet spërkatur shpejt me gurkali
dhe ende s’ka dalë nga plisi kërcelli i misrit….

Ne ëndërronim të bënim një anije,
kurrkush s’e mendonte me ç’dru do ta ngrinim
kishim ndërmend ta ndërtonim me degë hardhie
dhe vela t’i vinim,

Bodrumet e saj t’i mbushnim me poçe me verë
dhe të lundronim në ishujt e Havajës
të pinim verën me vajzat e ishujve në belvedere,
zezaku të bënte fresk me fletën e palmës.


2
Mos vdis, se kalit i ra në vrapim një patkua
dhe nisi ta ngrejë nga dhembja këmbën e parë,
kërkojmë patkonj e s’na jep njeri hua.
s’e gjejmë as nallbanin e marrë.

Ne ëndërronim të shkonim në hipodrome
në vende të lumtur, ku munden me kuaj,
tani dhe kali çalon dhe s’e ha barin e njomë;
me sytë si gota na sheh si të huaj.


3
Mos vdis, se dielli në oborr e ka shtruar sofrën e madhe
dhe presim të vijnë vajzat të gjitha,
të gjitha ato që ti u thoshe “sorkadhe”
kur grisnin fustanet në driza…

Mos vdis në dhomën e heshtur i shtrirë,
është turp kaq shpejt të rrish e të vdesësh,
ne ëndërronim një vdekje pak me të mirë;
duke vdekur fytyrat tona t’i shihnim në pikën e vesës…


Atdheut


I bëra për ty shërbëtorë

çdo muskul, çdo kockë e çdo gisht…

Krah teje, s’njoh kishë e shenjtorë,

nuk njoh Muhamet apo Krisht.

Nëse më kërkon, do të thotë,

të duhem prandaj më kërkon,

rabeckë të jem nëpër botë,

dragua do vij kur më fton…


Monumenti


Asnjë polic s’e ruan Skënderbenë

në bronc, në skaj të sheshit “Skënderbe”.

Kusarët, broncit, mina nuk i venë

dhe kurvat, brekët, s’nxjerrin dot atje…

I shenjtëruar hesht mes njerëzisë

e mposht me heshtjen, shpejt, çdo parlament.

Dhe s’mbrohet me dekret të qeverisë,

ndaj, veç këtij i themi monument.


Lisat


Qëndrojnë lisat me pallto të gjelbra të gjithë,

armatosur me degë e gdhij gjer në dhëmbë

dhe kur vdekja iu kanoset një ditë

dinë të vdesin në këmbë…

Ju mua më njihni, vdekjen nga herë e kam sharë

dhe kurë s’jam fshehur prej saj nëpër drizat,

në qoftë se vjen dëshiroj të më marrë në këmbë,

si lisat.


Tani duhet të mësoj


Erdhi koha të mësoj diçka tjetër.

Mësova të pi sisë e të ngrihem në këmbë,

mësova të bëhem i ri e i vjetër,

mësova të plakem, të heq e vë dhëmbë…

Tani më duhet të mësoj edhe shkopin mirë,

për t’u mbështetur kur të dal në mëngjes,

pastaj më pret një mësim pak më i vështirë,

të mësoj dhe të vdes…


Mos ma kujto

E shkuara ka çaste dhe ore te hidhura, mos ma kujto
për shembull, me pe me duar te lidhura, mos ma kujto!

Për shembull, më pe në rrugë të pirë, mos ma kujto,
Të pirë e të humbur, të sharë e të grirë, mos ma kujto!

Për shembull, më rrahën dy-tre vagabondë, mos ma kujto,
Tek shihja një grerëz, tek rrinte mbi gonxhe, mos ma kujto!

Për shembull, pësova diku një disfatë, mos ma kujto,
Dhe gjumi s’më zinte me ditë e me natë, mos ma kujto!

Për shembull, më pe duke ecur e qarë, mos ma kujto,
Mbështetur pas murit me zemër të vrarë, mos ma kujto!

Për shembull, më pe duke qenë i gënjyer, mos ma kujto,
Të prishur, të shthurur, të rënë e të thyer, mos ma kujto!

Për shembull, në shtrat s’u bëra për burrë, mos ma kujto,
I turpshëm u drodha si qengj nën lëkurë, mos ma kujto!

E shkuara ka orë dhe çaste të hidhura, mos ma kujto,
Ka ndrojtje dhe heshtje kur lipsen të thirrura, mos ma kujto!


Kur të jesh mërzitur shumë


Këtu s’do jem, do jem larguar
në tokë i tretur si të tjerët
në kafenenë e preferuar
nuk do më shohin kamerierët…

Dhe nëpër udhë ku kam ecur
s’do ndihet kolla ime e thatë
mbi varin tim do rijë i heshtur
një qiparis si murg i ngratë.

Ti do trishtohesh atëherë
se s’do më kesh në dhomë gjallë
dhe kur mbi xham të fryje erë
do qash me erën dal-ngadalë.

Po kur të jesh mërzitur shumë
ne raft te librave kërkomë
atje do jem i fshehur unë
në ndonjë fjalë a ndonjë shkronjë.

Mjafton që librin pak ta heqësh
e unë do zbres do vij pas teje
dhe ti si dikur me mall do qeshësh
si një blerim pas një rrëkeje.

Permalidhje 1 Koment