Nase Jani te “Koha javore” Mali i Zi

13 Shkurt, 2010 at 09:51 (MENDIMI KRITIK, Nase Jani) (, )

Nase Jani te “Koha javore” Mali i Zi

21 janar 2010

RECENSION

Anton Gojçaj

Mali i Zi

Pengesa në komunikim…

(Nase Jani, Si ndriçon një xixëllonjë…” poezi për fëmijë, Tiranë, 2009)

Shkrimtari Nase Jani jeton prej shumë vitesh në Athinë ku, si në shumë vise të tjera të Greqisë, sot gjendet një diasporë shqiptare e madhe në numër dhe e pasur me fëmijë. Tema e mërgimit nuk është edhe aq e shpeshtë në letërsinë për fëmijë, sepse ajo për nga logjika e gjërave nënkupton dhimbje, nostalgji, mall e halle… Duke qenë një poet i ndjeshëm, duke i kundruar nga afër ngjarjet dhe fëmijët e diasporës shqiptare në Greqi sepse edhe vetë është emigrant, ai provon që me penën e vet t’i sensibilizojë fëmijët e emigrantëve shqiptarë për të dashur gjuhën e nënës (ose të zemrës, siç do e quanin arbëreshët e Italisë), pa e përbuzur gjuhën e vendit ku jetojnë (ose të bukës, thënie gjithashtu e arbëreshëve). Poeti tani më në prag të pleqërisë,  është i shqetësuar nga fakti se gjyshet nuk mund të merren vesh me mbesat e nipërit, sepse flasin gjuhë të ndryshme.  Poezitë u dedikohen fëmijëve, por në të vërtetë qortimi (kritika) u shkon prindërve.

Interpretimi i letërsisë për fëmijë është një gështenjë e nxehtë, sidomos kur vetë nuk je fëmijë. Çdo brez i ri vjen me interesime, me pyetje dhe kërkesa të reja, që ne, fëmijët e dikurshëm, nganjëherë nuk jemi në gjendje për t’i njohur.

Disa studiues kanë identifikuar tri koncepte kryesore që përfshijnë pothuaj gjithë poezinë për fëmijë: konceptin pedagogjik, atë ludist dhe konceptin poetik. Në vëllimin “Si ndriçon një xixëllonjë…” të poetit Nase Jani vërehen mostra për të tri këto koncepte.

Porosi me vlera të konsiderueshme edukative p.sh. lexuesi i vogël mund të gjejë te vjersha katërvargëshe  “Furça e dhëmbëve”:

“Çdo mëngjes laj dhëmbët

Në drekë e në darkë,

Në banjë te çezma,

Me furçë e me pastë.

Për vlerat pedagogjike vlejnë të përmenden edhe disa vjersha të tjera, në të cilat  me gjuhën e këndshme poetike dhe pa moralizime të mërzitshme transmetohen njohuri nga jeta e përditshme – p..sh. “Ditët e javës”, apo propagandohet virtyti i punës – “Bleta punëtore”, por edhe tërhiqet vërejtja për disa rreziqe të pranishme në jetë –  “Gjarpri”, etj.

Impulsi më i fuqishëm pedagogjik  i këtij vëllimi, është nxitja e dashurisë për gjuhën shqipe.

Gjuha shqipe nuk harrohet,

As këtu e as në hënë,

Është e mirë sa s tregohet,

Është e bukur si një këngë…

(Festa e abetares)

Poeti Nase Jani jeton prej shumë vitesh në Athinë ku, si në shumë vise të tjera të Greqisë, sot jeton dhe punon një diasporë shqiptare e madhe në numër dhe e pasur me fëmijë. Tema e mërgimit nuk është edhe aq e shpeshtë në poezinë për fëmijë, sepse ajo për nga logjika e gjërave nënkupton dhimbje, nostalgji, mall, halle… Duke qenë një poet i ndjeshëm, duke i kundruar nga afër ngjarjet dhe fëmijët e diasporës shqiptare në Greqi sepse edhe vetë është emigrant, ai provon që me penën e vet t’i sensibilizojë fëmijët e emigrantëve shqiptarë për të dashur gjuhën e nënës (ose të zemrës, siç do e quanin arbëreshët e Italisë), pa e përbuzur gjuhën e vendit ku jetojnë (ose të bukës, thënie gjithashtu e arbëreshëve). Poeti tani më në prag të pleqërisë,  është i shqetësuar nga fakti se gjyshet nuk mund të merren vesh me mbesat e nipërit, sepse flasin gjuhë të ndryshme. Këto pengesa që sot shfaqen në pamundësinë e komunikimit me fjalë, nesër mund të çojnë në moskomunikimin e zemrave. Disa nga shqetësimet  e Nases, mendoj në pasojat e mërgimit, nuk janë të panjohura as për shqiptarët e Malit të Zi, që po ashtu kanë një diasporë të madhe, vërtet jo në Athinë, por në Nju Jork, Detroit dhe gjithandej në SHBA, por edhe në Europë…

Këto poezi u dedikohen fëmijëve, por në të vërtetë qortimi (kritika) u shkon prindërve.

Gjyshja në Tiranë,

Mbesa në Athinë

Shtatëqind kilometër

Të venë e të vine…

Gjyshja flet veç shqip,

Mbesa flet greqisht,

Përralla s’ka më,

As lodra në cirk…

…………….

Sa inat i vjen

Gjyshja është e saj…

Rri e turpëruar,

Por s’di kush ka faj?

(Gjyshja në Tiranë)

Të po kësaj fryme janë edhe “Nënat”, “Flamuri…”, “Alo nëna, alo gjyshi…”, “Era”, “Festa e abetares”, “Gjëza me Alfabetin e gjuhës shqipe” dhe vjersha “ Librat më të bukur” ku poeti dashurinë për gjuhën dhe atdheun e gërsheton me himnizimin e librave dhe të diturisë:

Libra na sjell Gjyshi,

Plot u mbush shtëpia…

Librat më të bukur

I ka Shqipëria…

E afërt por jo e njëjtë për nga tema është vjersha “Është për të qeshur”, në të cilën poeti me fjalë dhe shprehje të thjeshta që mund t’i kuptojnë edhe lexuesit në moshë të njomë, i përshkruan krizat e identitetit dhe degradimin e dinjitetit njerëzor, dukurinë e ndryshimit të emrave dhe rrjedhimisht të kombësisë nga ana e disa emigrantëve, në mënyrë që fëmijët të nxjerrin moralin se një veprim i tillë nuk është për t’i lakmuar:

Babi ka dy emra:

Sefer e Sokrat

Njërin: në shtëpi,

Tjetrin kur del jashtë…

……………….

Emrat, hop e hop,

Ndërrojnë fap e fap…

Ndryshe në mëngjes,

Tjetër je në darkë…

Duhet vlerësuar se poeti në asnjë çast dhe me asnjë fjalë nuk shprehet kundër gjuhës apo popullit të atdheut të ri (Greqisë), pra nuk mbjell farën e urrejtes dhe të grindjes, por vetëm qorton për të mos e harruar gjuhën shqipe, atdheun e braktisur dhe gjyshen e lënë  atje në vetmi…

Aspekti i transmetimit të të vërtetave të ndryshme nga natyra dhe shoqëria, që siç mendojnë jo pak studiues nëpërmjet artit mund të kapen më lehtë nga fëmijët, është i pranishëm në vjershat “Teo e Nikola”, “Klara katër vjeçe”, “Ditët e javës”, “Qielli dhe deti”, “Vezët e Pashkëve”, “Dita dhe nata”.  Ja disa vargje në të cilat duke përdorë paralelizmin, poeti lexuesin e vogël e familjarizon me fakte të ndryshme të realitetit:

Deti ka delfinë

Dhe balenë të madhe,

Ka dhe peshkaqenë

Që mishi s’u hahet…

Qielli ka diell,

Ka yje dhe hënë…

Ne në det notojmë,

Shtrihemi në rërë…

(Qielli dhe deti)

Poeti me origjinë nga Lunxhëria, që aktualisht jeton në Athinë, i përzien mjaft mirë elementet ludiste dhe ato poetike, për çka dëshmojnë vjershat:  “Si ndriçon një xixëllonjë…”, “Qenushi”, “Macja lahet çdo mëngjes”, “Miu-miu kocomiu”. Në këto vjersha ka dritë, kthjelltësi, optimizëm, që në të vërtetë, siç mendojnë jo pak pedagogë dhe studiues të kësaj dege të posaçme të letërsisë, do të duhej të mbizotëronin, mbase të panjollosura nga hijet e realitetit jetësor, sepse më vonë do të kenë mjaft kohë për t’u njohur me fytyrat jo gjithmonë miqësore të jetës.

Fëmijët shpesh e parapëlqejnë lojën, por ata i duan shumë  edhe kafshët, prandaj poeti, herë pas here, provon ta ndezë imagjinatën e tyre me një përshkrim dinamik, sa realist aq edhe humoristik:

Miu ka mustaqe,

Ka dhe bisht të gjatë,

Katër këmbë të shkurtra,

Barkun-rrumbullak…

Dhëmbët i ka brisk,

Kërr-kërr te dollapi,

I pëlqen dhe buka,

I pëlqen dhe djathi…

(Miu-miu kocomiu)

Duke u nisur nga gjuha që përdor  (me fjalorin e kufizuar por të pastër, sepse u kushtohet lexuesve të vegjël), nga mjetet poetike të thjeshta por funksionale dhe të menduara mirë, nga porositë edukative për atdhedashurinë dhe dashurinë ndaj gjuhës së nënës dhe nga natyra e mesazheve njohëse, ky vëllim u kushtohet në radhë të parë lexuesve fare të rinj, nxënësve të ciklit të ulët të shkollës fillore, por disa porosi me siguri do ta arrijnë misionin e vet të plotë veç nëse lexohen me kujdes dhe me ndërgjegje edhe nga prindërit e fëmijëve të cilëve u kushtohet. Çdo poezi e librit ndiqet nga një ilustrim adekuat.

Nase Jani është lindur në krahinën e Lunxhërisë, Gjirokastër, në vitin 1947. Prej vitit 1991 jeton familjarisht në Athinë. Është njëri nga themeluesit  dhe drejtuesit e Klubit të Shkrimtarëve Shqiptarë në Botë “Drita” (Athinë, 2000), si dhe themelues dhe drejtor i revistës “PELEGRIN” që del qysh në vitin 2004.

Deri tani ka botuar 17 vepra letrare në poezi dhe në prozë, për të rriturit dhe për fëmijë. Ka fituar disa çmime letrare.

Është nderuar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me Urdhri “Naim Frashri i Artë”.

Lini një koment